E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, plagosen lehtë 5 persona. Arsyet e sherrit kanë qenë politike

Mitingu elektoral i subjektit të Partisë Demokratike në fshatin Belorta të rrethit Korçë, është prishur nga dy të dehur, ku sherri banal midis tyre dhe militantëve të PD ka sjellë plagosjen e 5 personave. Fyerjet dhe sharjet në drejtim të pjesëmarrësve në miting kanë shkaktuar dhe një debat mes disa personave, duke u përfshirë më pas në një përleshje të vërtetë. Protagonistë të ngjarjes janë bërë dy të rinj në gjendje të dehur, të cilët kanë tentuar të prishin takimin elektoral. Kanë qenë shtetasit Desjon dhe Altin Xhihani të cilët kanë qenë të ulur vetëm pak metra larg vendit ku zhvillohej takimi elektoral, dhe kanë nisur të hedhin batuta dhe më pas të kalojnë në fyerje dhe sharje në drejtim të mitingut. Kaq është mjaftuar që tre persona të tjerë banorë të këtij fshati për më tepër dhe të afërm të të dehurve, të shkojnë të qetësonin gjendjen. Por kundërshtitë e dy të dehurve kanë vazhduar gjatë derisa gjithçka ka përfunduar në një përleshje. Kështu shtetasit Durim dhe Drini Demolli si dhe Nexhip Zyberi janë konfliktuar me Desjon dhe Altin Xhihanin duke përfunduar të pestë me plagë të lehta në trup. Policia ka shoqëruar të pesë personat, ndërsa do ti ndjekë ata penalisht në gjendje të lirë. Të pesë të lartpërmendurit akuzohen për veprën penale të Dëmtimeve të tjera me dashje. Në policia ata kanë pohuar se ishin të afërm me njëri-tjetrin dhe gjithçka ka ndodhur falë dozave të larta të alkoolit që kishin konsumuar dy protagonistët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›