Rama premton legalizimin e banesave brenda mandatit të parë qeverisës
Kreu i socialistëve nga Kurbini u ka bërë thirrje gjithë qytetarëve shqiptarë që të bashkohen përtej të majtës dhe të djathtës për zhvillimin e Shqipërisë. Duke iu drejtuar banorëve të kësaj zone, ai ka apeluar për bashkimin, që do të sjellë zhvillimin e Kurbinit dhe të Laçit, në të njëjtin stad e nivel si kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana. Data e 28 qershorit, sipas tij nuk është dita për të menduar për flamujt e partive, për faktin se kush është demokrati apo kush është socialisti.
Këtu në Laç, në Kurbin e në fshat, ku njëlloj shihet se si socialistët, si demokratët vuajnë nga varfëria, vuajnë nga korrupsioni, vuajnë nga mungesa e librave të fëmijëve, vuajnë nga mungesa e ndihmës ekonomike, është dita për të menduar si të bëhemi bashkë dhe ta çajmë rrethimin e politikës së vjetër dhe për të shkuar drejt një Shqipërie evropiane, nënvizoi ai. Kreu i socialistëve theksoi se është koha që çdo shqiptar të çlirohet nga paragjykimet, të kapërcejë hendeqet që ka hapur kjo politikë e vjetër mes nesh. Ai veçoi faktin se tashmë është koha që çdo shqiptar të shoh njëri-tjetrin, socialistë dhe demokratë, si bashkëqytetarë, si njerëz që jetojnë nën të njëjtin qiell, në të njëjtën tokë dhe që kanë vetëm një flamur, flamurin e Shqipërisë, që duhet ngritur lart e më lartë, për ta çuar Shqipërinë në Europë. Duke folur me bindje të plotë për fitoren e së majtës, kreu i saj theksoi se humbësi i 28 qershorit, është një grusht pushtetarësh të korruptuar. Më 28 qershor nuk do të humbasin qytetarët e thjeshtë dhe të ndershëm demokratë, por do të humbasë një grusht pushtetarësh të korruptuar, që kanë uzurpuar ëndrrat dhe shpresat e demokratëve dhe të socialistëve, që kanë abuzuar me besimin e pakufishëm të demokratëve dhe që kanë punuar 4 vjet me radhë për një familje të vetme, për shërbëtorët dhe për klientët e kësaj familjeje, shtoi Rama. Në takimin që ka zhvilluar me banorë të kryeqytetit, kreu i socialistëve premtoi se nëse e majta del fituese e zgjedhjeve, legalizimet do ti kryejë brenda mandatit të parë. Në këtë kontekst ai u angazhua për dhënien fund të ankthit të të gjithë atyre njerëzve të ardhur apo që janë prej kohësh, të cilët kanë ndërtuar me gjak një strehë për familjen e tyre të varfër. Kur më gënjen herën e parë, e ke ti fajin që më gënjen, jo unë që të besoj. Kur më gënjen herën e dytë, e ke prapë fajin ti që më gënjen, por kam faj edhe unë që të besoj. Kur më gënjen herën e tjetër, ti ske asnjë faj, faji është komplet i imi. Kush do të gënjehet për herën e tretë nga Sali Berisha, jo do tiu legalizoj, jo do tiu çoj në parajsë, nuk e ka më fajin Sali Berisha, e ka fajin ai që gënjehet, iu përgjigj Rama shqetësimit të njërit prej banorëve në lidhje me çështjen e legalizimeve.