Meta: Do ta bëjmë Elbasanin një qytet model të punësimit
Lëvizja Socialiste për Integrim është ndalur në qytetin e Elbasanit, ku ka prezantuar Planin për Zhvillim, që do të nxjerr Shqipërinë nga kriza për ta futur në rrugën e zhvillimit dhe integrimit. Kreu i LSI-së, gjatë fjalës së tij ka deklaruar se kjo forcë politike është e vetmja parti në këto zgjedhje, që vjen para të gjithë shqiptarëve me një Plan për Veprim për të zgjidhur në radhë të parë problemin e punësimit dhe me një plan të qartë për të ulur koston e jetesës. Meta u shpreh i bindur në fitoren e LSI-së, në qytetin dhe në qarkun e Elbasanit.
Jam i bindur se me 28 Qershor, Elbasani do të jetë gati për të filluar një periudhë të re, atë të daljes një herë e mirë nga varfëria atë të punësimit, sjelljes dhe vendosjes së standardeve evropiane në Elbasan, Librazhd, Gramsh e Peqin. Meta iu kërkoi të gjithëve që të votojnë numrin 24, sepse vetë programi ambicioz i LSI-së kërkon punë 24 orë në 24 orë për ti hapur punë dhe perspektivë Elbasanit dhe gjithë shqiptarëve, vijoi Meta. Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij, kreu i LSI-së, premtoi uljen e varfërisë në këtë zonë, duke parë si zgjidhje të menjëhershme hapjen e vendeve të reja të punës. Në këtë kontekst, Meta premtoi zhvillimin e Elbasanit, duke e bërë atë një ndër qytetet model të punësimit. Ne do ta bëjmë Elbasanin një qytet model të punësimit për zhvillimin e biznesit fason dhe zhvillimin e turizmit, kulturës, pasi Elbasani ka qenë gjithnjë një nga qendrat më të fuqishme të kulturës dhe të arsimit tonë kombëtar, u shpreh ai. Ndër të tjera, lideri i LSI-së, u bëri i thirrje të gjithë banorëve të kësaj zone që të votojnë numrin 24, duke veçuar faktin se të gjitha votat duhet të jenë për LSI. Të gjitha votat duhet të jenë për projektin e Ilir Metës, për të integruar të majtët dhe të gjithë progresistët e Shqipërisë, të gjitha votat për programin tonë për punësim, shtoi Meta. Qytetarët e Elbasanit, kanë mbushur plot dhe përplot sheshin kryesor të qytetit të Elbasanit, duke garantuar liderin e LSI, për fitoren e kësaj force politike, që ti japë mundësinë kësaj force dhe Ilir Metës për realizimin e Planit për Veprim, që do të nxjerrë Shqipërinë nga kriza për ta futur në rrugën e zhvillimit dhe integrimit. Pjesëmarrësit në miting, kanë shprehur besimin dhe sigurinë për fitoren e LSI dhe të kandidatëve të saj, në qarkun e Elbasanit. Programi i LSI-së është i vetmi program shkencor realist dhe konkret që zgjidh problemet e punësimit. Kjo është e vetmja forcë politike që ka bërë të qartë që tre prioritetet kryesore janë punësimi, punësimi, punësimi dhe ka treguar sesi mund të hapen 100 mijë vende pune të qëndrueshme në katër vitet që vijnë, 50 mijë nga të cilat në bujqësi dhe agro-përpunim.