Topi, apel institucioneve kushtetuese për shmangie në ditën e zgjedhjeve
Kreu i shtetit Bamir Topi, nisur nga afrimi i ditës së zgjedhjeve që data 28 qershor, u bëri apel krerëve të institucioneve kushtetuese të pavarura si gjykatave, policisë së shtetit, prokurorisë së përgjithshme dhe avokatit të popullit, por edhe partive politike që të mos ndërhyjnë në ditën e zgjedhjeve, duke e kthyer atë në një ditë beteje. Në një tryezë me krerët e institucioneve kushtetuese të pavarura, presidenti u ka kërkuar atyre të garantojnë klimën e qetë para, gjatë dhe pas 28 qershorit.
Sipas tij, pavarësisht se kush do të jetë fituesi apo humbësi, rregulli i demokracisë kërkon që pushtetet politike të bashkëpunojnë dhe të japin një mesazh shumë të thjeshtë për qytetarin, që dita e zgjedhjeve nuk është një ditë betejash. Dita e zgjedhjeve, për një vend demokratik, për një vend evropian, një vend, i cili aspiron që të jetë shumë shpejt në Bashkimin Evropian, të jetë ditë feste, por mbi të gjitha është mjaft i rëndësishëm administrimi i situatës edhe në periudhën pas zgjedhjeve, nënvizoi presidenti. Në kulm të debateve mes dy palëve politike lidhur me përfshirjen e vullnetshme apo kundër dëshirës të administratës në zgjedhjeve, Bamir Topi ka paralajmëruar krerët e institucioneve qendrore në vend se Evropa po na vëzhgon me kujdes. Është pikërisht transparenca dhe dhënia e mesazheve të rëndësishme për publikun, në prag të një evenimenti të rëndësishëm historik për Shqipërinë, sikurse janë zgjedhjet e përgjithshme politike të datës 28 qershor. Jemi në javën e fundit të fushatës zgjedhore. Padyshim, në një shtet demokratik pushtetet janë të ndara, por të gjitha sistemet funksionojnë në mënyrë shumë të harmonizuar për ti dhënë tiparet demokratike të shtetit, të një shteti të fortë, të një shteti i cili konsolidohet çdo ditë, të një Shqipërie që nuk ka në mënyrë absolute, asnjë shans të ketë kthim mbrapa apo të bëjë hap mbrapa, theksoi Topi. Sipas tij, pavarësisht nga debatet, pavarësisht nga premtimet, një gjë është shumë e rëndësishme, të kuptohet dhe të kuptosh një mesazh të thjeshtë qytetar. Nëse këto zgjedhje do të shkojnë ashtu siç ne presim, ju siguroj që gjithçka do të shkojë në mënyrë shumë natyrale drejt procesit të liberalizimit të vizave. Të mos shpresojmë që këto do të jenë zgjedhjet më të mira. Ju siguroj që zgjedhjet e ardhshme do të jenë më të mira se këto zgjedhje që ne bëjmë. Pra, kjo është rruga e konsolidimit të demokracisë së brishtë shqiptare, përfundoi Topi.