E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Parlamenti Europian mbështet statusin e kandidatit për Shqipërinë”

09-11-2012 / Gazeta 55

Eurodeputeti Libor Roucek shprehet se Brukseli pret që bashkëpunimi midis dy forcave kryesore në Shqipëri të vazhdojë në të mirë të vendit dhe për të mundësuar marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Në Parlamentin Europian ne e mbështesim statusin e kandidatit për Shqipërinë”, shprehet Roucek.
Ky mesazhi i drejtohet liderit të opozitës dhe mazhorancës. Sipas tij, nëse ka vullnet të mirë, plotësimi i tre kushteve të mbetura arrihet para dhjetorit.
 
Cili është konkluzioni pas takimit me ministren Bregu? A e mbështesin të gjitha grupimet politike në Parlament statusin e vendit kandidat për Shqipërinë?
Në Parlamentin Europian ne e mbështesim statusin e kandidatit për Shqipërinë. Ne do të votojmë rezolutën për Shqipërinë në 22 nëntor në komisionin e punëve të jashtme dhe sërish në seancën plenare në javën e parë të dhjetorit. Në takimin që patëm me ministren Bregu, ministrja na njohu me ecurinë e procesit të integrimit, duke u ndalur kuptohet te nevoja e plotësimit të tre kushteve që mbeten.
 
Mendoni, se Shqipëria ka shanse për të marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor apo do të na duhet të presim për vitin tjetër?
Për këtë nuk vendos Parlamenti, pasi varet nga raporti i Komisionit Europian dhe vendimi i shteteve anëtare. Por ndërkohë, ne presim vazhdimin e bashkëpunimit midis dy forcave kryesore politike në Shqipëri për integrimin europian. Pasi është pikërisht bashkëpunimi midis mazhorancës dhe opozitës, që bëri të mundur muajt e fundit progresin e arritur në Shqipëri. Duhet që ky bashkëpunim të vazhdojë. Ky është mesazhi ynë për ministren dhe ky është mesazhi ynë dhe për liderin e opozitës. Vazhdoni bashkëpunimin, pasi është i rëndësishëm për vendin dhe është i rëndësishëm për politikën e zgjerimit, në mënyrë që Shqipëria të fitojë statusin e  vendit kandidat.
 
A ju duket e mjaftueshme si kohë plotësimi i tre kushteve të mbetura para dhjetorit?
Nëse ka një vullnet të mirë, kjo mund të realizohet, ashtu siç u realizua për avokatin e popullit, reformën elektorale, heqjen e imunitetit. Pra, edhe pse mbeten pak javë, nëse ekziston vullneti, marrja e statusit të vendit kandidat arrihet.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›