E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me miratimin e 3 ligjeve, Shqipëria plotëson kriteret për marrjen e statusit

09-11-2012 / Gazeta 55

Ministrja Bregu raporton në Bruksel reformat e Shqipërisë dhe pritshmëritë e vendit në procesin e integrimit

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu zhvilloi një vizitë në Bruksel, ku pati takime me eurodeputetët e Grupit të Punës të Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor, zëvendësministrin e jashtëm të Qipros Andrea Mavroyiannis (përfaqësues i presidencës së radhës të Bashkimit Evropian në mungesë të Ministres së Jashtme), përfaqësuesit e vendeve anëtare përgjegjës për Ballkanin në Këshillin e Ministrave të BE (grupi COËEB).
Ministrja Bregu informoi përfaqësuesit e BE-së mbi reformat e kryera vitet e fundit në Shqipëri dhe për pritshmëritë e vendit tonë në procesin e integrimit. Ministrja Bregu nënvizoi se reformat mbi bazën e të cilave Komisioni Evropian rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë janë pjesë e strategjive disa-vjeçare të hartuara nga qeveria, ndërkohë që procesi i integrimit është një motivim dhe nxitje për t’i çuar përpara këto reforma, në një kohë akoma më të shkurtër.
Deputetët e Grupit të Punës të Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor përgëzuan Ministren Bregu për progresin e arritur nga Shqipëria dhe nënvizuan domosdoshmërinë e plotësimit të tre masave të mbetura për miratimin e propozimit të Komisionit Evropian. Eurodeputetët theksuan nevojën e vendosjes së interesit madhor të integrimit evropian të Shqipërisë mbi interesat e ngushta të palëve.
Ministrja Bregu vlerësoi kontributin e Parlamentit Evropian në mbështetje të procesit të integrimit evropian të vendit tonë. Ajo u kërkoi eurodeputetëve të vazhdojnë të mbështesin avancimin e Shqipërisë, sidomos në kuadër të Raportit të ardhshëm të Parlamentit Europian që pritet të miratohet në dhjetor, gjithmonë duke u bazuar në vlerësimin objektiv dhe të drejtë të meritave e arritjeve të vendit tonë.
Europarlametarët garantuan mbështetjen e parlamentit evropian për progresin e Shqipërisë në udhën e integrimit evropian. Përfaqësuesi i presidencës qipriote të BE, zëvendësministri Mavroyiannis u shpreh se ekzistojnë mundësitë për miratimin e statusit të vendit kandidat në dhjetor, megjithëse në këtë drejtim ka rëndësi përmbushja nga Shqipëria masave të mbetura.
Ministrja Bregu tha se është e ndërgjegjshme për dëmin që i ka bërë avancimit të mëtejshëm në procesin e integrimit, mungesa e dialogut politik dhe bojkoti parlamentar pothuajse 2-vjeçar i opozitës që solli dhe mungesën e propozimit nga komisioni për dhënien e statusit kandidat 2 herë radhazi.
Megjithatë, sipas Ministres, që nga nëntori i vitit të kaluar ka pasur zhvillime shumë pozitive, të cilat kanë mundësuar dhe realizimin e masës kritike të reformave të vendosura nga Komisioni për marrjen e statusit kandidat, me përjashtim të votimit të tre ligjeve të cilat përmirësojnë më tej reformat. Me miratimin e këtyre ligjeve, Shqipëria sipas Ministres ka plotësuar ato kritere të vendosura për marrjen e statusit kandidat.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›