E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ "gropos" Shkodrën

Është mbyllur dje faza e hetimit administrativ për parregullsitë në zgjedhjet e 28 qershorit


"Kërkojmë hetimin administrativ që të nxirrni në dritë të diellit këto kuti të "zeza" votimi"


TIRANË - Ka marrë fund procesi i shqyrtimit të ankimimeve të bëra nga subjektet politike lidhur me procesin zgjedhor dhe paszgjedhor të 28 qershorit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur dje, me rrëzimin dhe pranimin, sipas rasteve, të pretendimeve të tre subjekteve zgjedhore, PS-së, PDK-së dhe PD-së, lidhur me procesin e elektoral në Qarkun e Shkodrës, fazën e hetimit administrativ.


Kështu, KQZ-ja ka rrëzuar me forcën e kartonëve të anëtarëve të djathtë, dy kërkesat e bëra nga socialistët dhe demokristianët për rivlerësimin dhe rinumërimin e votave në 5 KZAZ-të e këtij qarku, ndërsa ka miratuar po në të njëjtën raport votash, kërkesën e demokratëve për numërimin dhe më pas pasqyrimin e rezultateve të dala nga dy kuti votimi të zonës së Bushatit.


Pretendimet


Të tre subjektet e interesuara, duke ndjekur procedurën e gjykimit administrativ kanë, paraqitur me radhë pretendimet e tyre, duke u përpjekur të paraqesin para KQZ-së dhe palëve të interesuara, provat që dispononin.


Të parët, që kanë parashtruar kërkesën dhe argumentet e tyre kanë qenë demokristianët, të cilët përveç përfaqësuesit të tyre të përhershëm të atashuar pranë KQZ-së, Dhimitër Muslia, dje janë përfaqësuar edhe me vetë kryetarin e kësaj force, Nard Ndoka.


Ndërsa Muslia ka bërë të ditur thelbin e kërkesës së tyre, e cila konstatonte në rivlerësimin dhe rinumërimin e votave në të gjitha ZAZ-të e Shkodrës, Ndoka ka paraqitur një sërë rastesh, të cilët, sipas tij, vërtetojnë manipulimet që janë kryer me urdhra politikë të dhënë prej Kryeparlamentares Jozefina Topalli, që ai gjatë fjalës së tij e quajti si "Merimanga e Zezë".


"Shumica e votave të pavlefshme kanë qenë të PDK-së dhe kjo me urdhër politik nga drejtuesit e lartë të PD-së, nga "merimanga e zezë", e cila ndiqte procesin në Shkodër.


Prandaj, hapni vetëm një nga këto kuti dhe të shihni manipulimin që është bërë, në të kundërt na lind e drejta ligjore politike dhe morale të kërkojmë pavlefshmërinë për procesin në Qarkun e Shkodres dhe të kërkojmë përsëritjen e zgjedhjeve për të gjithë qarkun", - tha kreu demokristian, por pa mundur të argumentojë para komisionit gjurmët që i kanë krijuar bindjen e këtyre manipulimeve.


Ndërkohë, kërkesën e PS-së e ka paraqitur para komisionit, përfaqësuesi ligjor i kësaj force në KQZ, Eridian Saliani, i cili ka theksuar se në të pesë ZAZ-të e Shkodrës, procesi i numërimit është shoqëruar me mangësi të theksuara, çka ka sjellë, sipas tij, dhe deformimin e votës së qytetarëve të këtij qarku në disfavor të forcës që ai mbronte.


Në parashtrimin e tij të kësaj kërkese, Saliani ka vënë në dukje se si mangësitë më të rënda janë ato që kanë të bëjnë me rastet e numërimit të votave, kur ato nuk plotësonin kriteret ligjore për t'u quajtur të vlefshme, siç kanë qenë ato me një vulë, me kundërfletë, me vula me ngjyra të ndryshme etj.


"Këto shembuj na japin të drejtën sikur të ishin edhe të vetëm që të kërkojmë hetimin administrativ dhe ju detyrimin tuaj, që në bazë të nenit 136 të Kodit Zgjedhor, t'i nxirrni në dritë të diellit këto kuti të "zeza" votimi që mbajnë brenda shumë shkelje të këtij ligji",- tha Saliani.


Debati


Ashtu si edhe në ditët e shkuara, anëtarët dhe përfaqësuesit e djathtë në KQZ kanë kundërshtuar kërkesat e bëra për rinumërim dhe rivlerësim të votave në një masë të madhe, siç mund të jenë votat e një qarku.


Për këtë arsye, edhe një herë, dy anëtarët e majtë të KQZ-së, nënkryetarja Dëshira Subashi dhe Artan Lazaj, konform të drejtës që u njeh neni 138 i Kodit Zgjedhor, kanë paraqitur kërkesën për rinumërim dhe rivlerësim të votave konform kërkesës së PDK-së.


Por, përsëri një kërkesë e tillë ka pasur të njëjtin fat si edhe ato të ditëve të shkuara, pasi me propozim të kryetarit Ristani, KQZ-ja ka rrëzuar me 4 vota pro dhe asnjë kundër (anëtarët e majtë nuk kanë votuar, pasi iu përmbajtën bindjes se një kërkesë e tillë nuk votohet, por hyn direkt për zbatim), kërkesën e paraqitur nga Subashi.


Ndërkohë që, gjatë seancës së pasdites, KQZ-ja ka rrëzuar po me raportin e votave 4 me 3 kërkesat e PS-së dhe PDK-së. Tashmë e vetmja mundësi për të vërtetuar pretendimet e tyre për këto forca, mbetet Kolegji Zgjedhor.


Debati i parë

Niazi Kosovrasti:
"Mos më ndërpre në fjalën time, se unë, kur fole ti, nuk ndërhyra, por të dëgjova"

Nard Ndoka:
"Unë nuk të ndërhyj, por ti mos provoko dhe mos u sill në atë mënyrë, se nuk ta ka njeri frikën"

Kosovrasti:
"Nuk të marr dorën ty unë se ç'do them dhe se si do sillem, ke ardhur sot në KQZ dhe mbaj vendin aty"

Ristani- Ndokës:
"Në KQZ nuk flitet kur të teket, por flitet më radhë dhe kur të jepet fjala, prandaj të lutem mos na prish mbledhjen"

Kosovrasti:
"Argumentet që sillni ju janë qesharake dhe nuk arrijnë të provojnë asnjë nga pretendimet tuaja"

Ndoka:
"Mos më provoko, po të them edhe një herë (tenton t'i heqë mikrofonin)"

Kosovrasti:
"Ti mos më provoko, se s'të ka hije, se të kam pasur dhe kryetar komune. Ndaj hiq dorën nga mikrofoni dhe deklaratat politike, shko bëji në tjetër vend dhe jo këtu"

Debati i dytë

Artan Lazaj:
"Z. kryetar kërkoj fjalën për procedurë"

Arben Ristani:
"Nuk ta jap fjalën, se do ia jap Ilirian Muhos"

Lazaj:
"Unë jam anëtar komisioni dhe jam më i lartë se ai këtu në këtë sallë, ndaj, të lutem më jep fjalën"

Ristani:
"Nuk ta jap llafin, se ia kam dhënë atij"

Lazaj:
Jemi anëtarë KQZ-je dhe të qenit në krye të asaj tavoline, nuk të jep të drejtën të sillesh në këtë mënyrë, pasi jemi njësoj, ndaj më jep fjalën"

Ristani:
"Jo, jo, nuk jemi njësoj, unë jam kryetari dhe unë e drejtoj këtë seancë, ndaj rri urtë aty dhe mos bëj zhurmë"

Lazaj-Muhos:
"Lexo Kodin dhe mëso se çfarë thotë për procedurën e mbledhjes"

Muho:
"Edhe ti ke kohë për të shkuar në fletën e fundit, pasi je i ri në këtë sallë"

Deshira Subashi:
"Ilirian, nuk ke të drejtë që të ofendosh një anëtarë KQZ-je. Z. kryetar, derisa Iliriani bën një vlerësim të tillë për kolegun tim, unë nuk mund të rri indiferente, ndaj më jep fjalën"

Ristani:
"S'ta jap fjalën, se ia kam dhënë Ilirianit dhe s'mund ta ndërpres"

Subashi:
"Mirë atëherë, nëse doni të vazhdoni në këtë mënyrë mbledhjen, ku lejon në mënyrë sistematike që kolegët e tu të ofendohen, vazhdoje mbledhjen me Ilirianin" (largohet nga mbledhja)

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›