E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ hedh shortin për anëtarin e 3-të dhe të 4-të të GNV-ve

10/06/2009  Komisioni rrëzon variantin e PD-së, procedura do të realizohet për 66 ZAZ-të

Numërimi i votave, marrin pjesë 4 parti të vogla për secilin spektër politikë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hedhë sot shortin për përcaktimin partive që do të propozojnë anëtarin e tretë dhe të katërt të grupeve të numërimit të votave. Shorti pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor do të hidhet mes katër partive të vogla të mazhorancës: Partisë Republikane, Aleancës Demokratike, Partia Agrare Ambientaliste, ndërsa për anëtarin tjetër mes partive të vogla të mazhorancës: Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Socialdemokrate; Partia Demokracia Sociale dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Shorti do të hiqet një për një për të 66-të ZAZ-të. Procedurat dhe mënyra e përcaktimit të anëtarit të tretë dhe të katërt të grupeve të numërimit të votave u miratua nga KQZ-ja gjatë mbledhjes së djeshme. Ashtu si çdo çështje që lidhet me rezultatin e votimeve, siç është në këtë rast përbërja e grupeve që do të numërojnë fletët e votimit, edhe kjo çështje u shoqërua me debate. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në komision, Njazi Kosovrasti, propozoi një mënyrë tjetër, ndryshe nga ç’parashikonte projekti i administratës së KQZ-së për hedhjen e shortit për secilën ZAZ. “Mënyra se si është ndërtuar akti unë e gjej pa vend. Teorikisht mund të ndodhë rasti që të jemi para një bingoje. Mundet që nga mënyra se si është ndërtuar akti, parti të ndryshme të jenë shumë të privilegjuara. Nuk besoj se duhen lënë gjërat kështu”, - tha ai gjatë diskutimit të kësaj çështjeje. Për këtë ai propozoi grupimin e ZAZ-ve në tri grupe në varësi të numrit të zgjedhësve që ka secila, dhe për to të hidhej një short. “Mendoj që të gjitha ZAZ-të t’i ndajmë në tri grupe. Janë 4 ZAZ me numër të madh zgjedhësish, mbi 80 mijë: Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë. Atëherë të hedhim short mes këtyre të 4 mes katër partive pastaj janë një grup i madh prej 40 KZAZ-sh, të cilat luhet me numër zgjedhësish nga 40 mijë-50 mijë t’u japim mundësinë që ato të zgjedhin në këtë grup. Sigurohet shpërndarje pothuajse e barabartë. Dhe 22 ZAZ-të me numër të vogël zgjedhësish. Të hedhim shortin dhe për ato dhe krijohen shanse të barabarta”, - propozoi Kosovrasti. Propozimi i tij u kundërshtua nga përfaqësuesi i LSI-së Ilirian Muho, i cili kërkoi respektimin e Kodit Zgjedhor për këtë pikë. “Mendoj se propozimi i kolegut parafolës nuk është në përputhje me atë që ligji përcakton në nenin 96 të tij. Për këtë mënyrë mendoj se ai nuk duhet të merret parasysh”, - tha Muho. Pas kësaj KQZ-ja votoi në unanimitet pro udhëzimit të administratës, duke rrëzuar propozimin e Kosovrastit. Ndërkohë dy anëtarët e parë të grupeve të numërimit të votave propozohen një nga partia më e madhe e mazhorancës dhe tjetra e opozitës.

Shorti

Partitë politike që kanë të drejtë të propozojnë anëtarin e tretë dhe të katërt të grupeve të numërimit të votave, përveç partive që propozojnë kryetarin dhe nënkryetarin e KZAZ-së, përcaktohen pas hedhjes së shortit në KQZ ndërmjet listës së partive politike të shumicës parlamentare dhe listës së partive të opozitës parlamentare të regjistruara në zgjedhje dhe që kanë fituar jo më pak se dy mandate në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin e Shqipërisë. Në çdo rast, pas hedhjes së shortit për çdo ZAZ, të drejtën e propozimit për dy anëtarë të grupeve të numërimit të votave e ka një parti e shumicës parlamentare dhe një parti e opozitës parlamentare. Jo më vonë se 30 ditë para datës së zgjedhjeve KQZ-ja organizon hedhjen e shortit për çdo ZAZ në prani të partive politike të interesuara. Procedurat për hedhjen e shortit përcaktohen me udhëzim të veçantë të KQZ-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›