E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD përshëndet fitoren e qendrës së djathtë në Evropë

Partia Demokratike ka përshëndetur fitoren e madhe të partive simotra në të 23 vendet anëtare të Bashkimit Evropian në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Majlinda Bregu tha se kjo do të jetë një mbështetje më e madhe për Shqipërinë. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, zëdhënësja e fushatës elektorale të PD-së, Bregu përshëndeti fitoren e qendrës së djathtë në Evropë, e cila sipas saj është një tjetër dëshmi e qartë që tregon se Evropa e ka gjetur tashmë rrugën e saj të zhvillimit duke votuar djathtas. Qendra e djathtë, zgjeron bindshëm fitoren e saj në të gjithë Evropën, edhe në vendet ku qeveris koalicioni me qendrën e majtë. Kjo fitore është një tjetër dëshmi e qartë që tregon se Evropa e ka gjetur tashmë rrugën e saj të zhvillimit right is right, duke votuar djathtas, nënvizoi Bregu. Ndër të tjera ajo ka përmendur edhe presidentin e Partisë Socialiste Evropiane, i cili e ka konsideruar këtë ditë si ditën më të trishtuar në historinë e Socialdemokracisë në Evropë. Por, sipas Bregut, për Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe për gjithë shqiptarët, kjo fitore përkthehet si një mbështetje e fuqishme për liberalizimin e vizave, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të projekteve madhore që qeveria shqiptare ka projektuar për mandatin e saj të dytë, për ta çuar edhe më tej zhvillimin e këtij vendi. Kjo fitore, dëshmon se Shqipëria ka përkrahës e miq të mëdhenj në Komisionin Evropian dhe Parlamentin Evropian, me në krye presidentin e PE, H.G Potering, të cilët kanë fituar dhe do të udhëheqin Brukselin. Fitorja e Qendrës së Djathtë në mbarë Evropën është një thirrje e fuqishme që na fton të vazhdojmë në rrugën tonë të ndryshimit, theksoi Bregu. Gjithashtu, zëdhënësja e fushatës elektorale të PD-së, u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të votojnë si e gjithë Evropa, vetëm djathtas. Sepse, sipas saj kjo fitore e qendrës së djathtë në 23 vendet e BE-se tregon se vetëm vota djathtas është rruga për të ndërtuar Shqipërinë evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›