E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i OMONIA-s në Sarandë, thirrje për të përmbysur klikën antidemokratike Dule-Bollano

Kristaq Kali nuk njeh vendimin për shkarkimin e tij
Kryetari i përkohshëm i OMONIA-s për Sarandën, Kristaq Kali ka dalë kundër bashkëpunimit të PBDNJ-së me koalicionin e majtë. Deklaratat e tij, të shpallura publikisht në një konferencë për shtyp, tingëllojnë të ashpra dhe disi emocionale. Kryetari i përkohshëm i OMONIA-s, Kristaq Kali pak ditë më parë është takuar me ish kryetarin Vasil Bollano, ku ka shprehur kundërshtimin e tij me vendimet e Kongresit të PBDNJ. Përgjigja e Bollanos, pas diskutimit të rrethanave dhe qëndrimeve ka qenë i prerë. Këto janë qëndrime kolegjiale, nëse të pëlqejnë rri, në të kundërt je i shkarkuar nga pozicioni i kryetarit të OMONIA-s për Sarandën, ka theksuar ai. Shkarkimi i kryetarit, Kristaq Kali është vendosur sipas tij, më datën 3 qershor. Ky qëndrim i Bollanos nuk e ka kënaqur Kalin duke e nxituar të dalë para mediave. Menjëherë pas shkarkimit ai ka shprehur para medias qëndrimin e tij kundërshtues për vijën e ndjekur dhe hapat e hedhur nga drejtuesit e Partisë, duke i bërë thirrje anëtarësisë së minoritarëve ta mbështesin në përmbysjen e klikës antidemokratike Dule-Bollano. Pas marrëveshjes politike PS-PBDNJ, zërat kundërshtues janë identifikuar me njerëz, të cilët gjatë katër vjetëve të bashkëpunimit me të djathtën në pushtet, kanë gëzuar mbështetjen e qeverisë dhe njëherësh poste të rëndësishme, që nga ministër, kryetar njësish të  qeverisjes vendore, e deri tek drejtorë drejtorish, që varen nga qeveria qendrore, për të vetmen meritë, se gëzonin poste drejtuese në organizatën e minoritetit grek, duke qenë përherë në krah të qëndrimeve qeveritare. Marrëveshja e fundit ka sjelle reagimin e krahut të djathtë brenda organizatës, duke u shoqëruar me dorëheqjen nga kryesia të Ziso Llucit, kandidimin e ish- ministrit Barka për deputet dhe së fundi, shkarkimin e kryetarit lokal Kali nga detyra për drejtimin e OMONIA-s, gjë që se ka pranuar. Mbetem kryetar i OMONIA-s për rrethin e Sarandës, ka theksuar ai për të qartësuar mos njohjen e vendimit të shkarkimit të tij. Kristaq Kali ka kryer deri në fund javës që kaloi, detyrën e kryetarit lokal të OMONIA-s, duke u pozicionuar qartë kundër marrëveshjes së fundit mes partisë, që mbledh në gjirin e vet edhe minoritetin etnik grek në Shqipëri. Zgjedhja e Kalit në detyrën e kryetarit provizor ka kaluar në një proces të komplikuar zgjedhjesh, që erdhi nga dalja e një grupi fraksion ndaj kryetarit të kësaj organizate dhe kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Ky i fundit është përballur kohë më parë nga grupimi i  kryesuar nga Ziso Lluci për shkelje të statutit në marrjen e vendimeve. Të dy figurat e vëna në krye të grupit anti-marrëveshje, njihen si pjesë e mendimit të djathtë, brenda strukturave të organizatës. Së bashku me Kosta Barka, sot kandidat i listat të PD-së, në Qarkun e Vlorës, kanë kundërshtuar energjikisht koalicionin e ri me të majtën. Grupi fraksionist kundërshtues i vendimeve të marra rregullisht në strukturat legjitime të Partisë, janë bërë promotorë të nxitjes së marrjes së vendimeve për një kryesi provizore, një kryetari provizor, të organizatës OMONIA dhe të kryetarëve provizorë lokalë, të kësaj organizate në rrethe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›