KQZ-ja, BE-ja sjell me urgjencë ekspertin për çështjet zgjedhore në Shqipëri
Tiranë- Përpjektjet e nisura nga mazhoranca në Komisionin e Ligjeve, për të liruar nga detyra anëtarin e LSI-s në KQZ, Ilirjan Muho ka alarmuar faktorin ndërkombëtar në Tiranë.
Top Channel nga burime diplomatike ka mësuar se misioni BE-s në Tiranë ka thirrur një ekspert ndërkombëtar për çështjet ligjore që lidhën me zgjedhjet.
Ai është Nikolai Vulcanov një emër i njohur në fushën e legjislacionit zgjedhor, ish-drejtues i disa misioneve të ODIHR-it në vëzhgimin e zgjedhjeve në disa vende.
Po të njëjtat burime pohojnë se Vulcanov është kërkuar të vijë në Tiranë për të dhënë ekspertizën e tij në lidhje me zhvillimet që lidhen me KQZ-në.
Delegacioni BE-s nuk është ngutur të japë opinionin e tij për këtë cështje kaq të nxehtë por paraprakisht ka kërkuar të ketë opinionin e specializuar të Vulcanov. Vulcanov aktualisht punon si ekspert për Komisionin e Venecias.
Kur në Shqipëri ishte duke u diskutuar drafti i kodit të ri zgjedhor Konsulenti i Komisionit të Venecias, Nikolai Vulchanov, deklaroi se anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk duhet të jenë të emëruar të partive politike, por administratorë të ligjit në procesin zgjedhor.
Gjatë një konference në Tiranë për praktikat e mira zgjedhore vitin e shkuar, Vulchanov po ashtu deklaroi se Anëtarët e KQZ-së nuk duhet të jenë politikë, ata janë administruesit e ligjit. Dhe nëse ata fillojnë ta perceptojnë veten si politikanë dhe të fillojnë të mbajnë fjalime më KQZ, atëherë rezultati behët shumë i qartë se çfarë KQZ-je mund të jetë”.
Pritet me interes të mësohet se cili do të jetë opinion i tij për këtë çështje që duket se do të jetë edhe baza e një deklarate të pritëshme nga misioni BE-së në Tiranë.
Marrë nga Top Channel