KQZ-ja dhe KKRT-ja, marrëveshje për monitorimin e medias gjatë fushatës
Komisionit Qendror i Zgjedhjeve (KQZ-ja) dhe Këshilli Kombëtar i Radio dhe Televizionit (KKRT-ja), nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për monitorimin e fushatës sё zgjedhjeve për Parlamentin e ardhshëm. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është angazhimi i të dy institucioneve, në përputhje me detyrimet përkatëse ligjore, për përcaktimin e rregullave, për shfrytëzimin e kapaciteteve teknike të KKRT-së, për nevojat e monitorimit të fushatës zgjedhore, në radion dhe televizionin publik dhe privat, në funksion të zgjedhjeve. Marrëveshja detyron KKRT-në që të vërë në dispozicion të Bordit të Monitorimit të Medias (BMM-së), pajisjet teknike për monitorim. Gjithashtu ky institucion do t’i vërë BMM-së studion e monitorimit dhe personelin teknik dhe monitorues përkatës. Shpenzimet financiare për pagesёn e personelit që do të angazhohet për monitorim, do të merren përsipër nga KQZ-ja.
Nikolli: “PS-ja do të hapë vende pune për familjet e varfra”
Anëtarja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Lindita Nikolli, zhvilloi një takim me banorët e qytetit të Rubikut, për t’u shpjeguar atyre programin e ri qeverisës të Partisë Socialiste dhe për të marrë mendimet e tyre në lidhje me këtë program.
Gjatë këtij bashkëbisedimi Nikolli u përqendrua te Fondi i Integrimit Social si një risi që do të sjellë Partia Socialiste në hartimin e politikave sociale dhe nxitjen e punësimit.
Duke qenë në një zonë të varfër si Rubiku, të lënë jashtë vëmendjes së qeverisë, Nikolli u shpreh se PS parashikon që të nxjerrë nga skema e varfërisë gjysmën e familjeve që sot janë të varfra, jo thjesht duke u dhënë ndihma pasive ekonomike, por duke hapur vende të reja pune e duke investuar më shumë për arsimimin e tyre. “Ne do t’u ofrojmë të gjithëve mundësi dhe shanse të barabarta për t’u integruar në shoqëri mbi bazën e meritave të tyre”, - tha Nikolli.
24 Prill 2009