E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Komisioni hetimor, shprehje e dëshpërimit të Berishës për humbjen që e pret”

Kreu i Bashkisë së Tiranës: “Komisioni, sulm i ulët politik ndaj meje”. Rama flet edhe për operatorin e katërt celular: “Do ta rishikojmë vendimin”

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka reaguar ndaj vendimit të maxhorancës për ngritjen e Komisionit hetimor parlamentar në drejtim të tij.
Rama tha se ky komision është i paligjshëm dhe shpreh dëshpërimin e kryeministrit Berisha, i cili, sipas tij, është në prag të humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit. “Ky komision është i jashtëligjshëm, ligji ndalon krijimin e një komisioni 4 muaj para zgjedhjeve. Ky nuk është një komision hetimor, ky është një sulm politik i ulët dhe i organizuar për të kompensuar sipas organizatorëve të tij atë boshllëk mes tyre dhe zgjedhësve dhe për të shmangur atë që ata nuk e shmangin dot, humbjen e sigurt të Berishës”, - u shpreh kreu i Bashkisë përpara gazetarëve.

Reagimi
Kryebashkiaku dhe kreu i PS-së, Edi Rama, e cilësoi ngritjen e Komisionit hetimor ndaj tij si sulm të ulët politik të kryeministrit Berisha. Sipas Ramës, Berisha po rishfaq sulmet e vjetra, por që në fakt, sipas kryebashkiakut, ato janë shprehje të dëshpërimit që ka kapur kryeministrin Berisha, për të cilin humbja në zgjedhjet e 28 qershorit është e pashmangshme. Rama tha se tashmë po vjen fundi i politikes së vjetër 18-vjeçare dhe se katër vite të tjera me këtë qeverisje nuk mund të durohen. “Këto janë sulme të ulëta. Kjo është një humbje për ata që e organizuan, humbje për Berishën dhe shpurën e tij. Ka një shprehje të mençur, që thotë se njerëzit e dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara. Dhe ata s’mund ta fshehin dot dëshpërimin duke vënë në skenë shfaqje të vjetra. Është një dëshpërim nga humbja. Është fundi i një politike 18-vjeçare të keqqeverisjes dhe shenjë se 4 vjet të tjera si këto nuk durohen”, - ka deklaruar Rama.

Operatori i 4-t
Në konferencën e djeshme për shtyp, Rama ka folur edhe për dhënien e licencës së operatorit të katërt celular në Shqipëri. Ai i cilësoi skandaloze procedurat e ndjekura nga qeveria. I pyetur për skandalin e dhënies së licencës për operatorin e katërt celular pa procedurë tenderimi, Rama theksoi se ky është një vendim anormal në prag të fushatës zgjedhore. Por, sipas tij, Partia Socialiste në pushtet do të rishohë me kujdes të gjitha vendimet e ndërmarra nga qeveria “Berisha”. “Sapo të vijmë në qeveri do të rishohim një sërë vendimesh të kontestuara të kësaj qeverie dhe ta bëjmë me një ekspertizë të lartë profesionale, dhe jo me çështje hakmarrjeje politike”, - deklaroi Rama.

24 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›