PSD: E turpshme ngritja e komisionit hetimor ndaj Ramës, është antikushtetues
Partia Socialdemokrate e cilëson të turpshëm vendimin e maxhorancës për ngritjen e Komisionit hetimor parlamentar ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Nënkryetarja dhe deputetja e PSD-së, Diana Çuli, tha se ky komision hetimor është antikushtetues. “Shumica e sotme, përveç çështjes skandaloze të kartave, ka paturpësinë të ngrejë edhe komisione hetimore antikushtetuese, për gjoja shkelje, në një kohë kur vetë ajo, në dritë të diellit, kryen veprime korruptive si privatizimi i OSSH-së, dhënie licence telefonie pa procedura tenderimi”, - u shpreh Çuli. Duke u nisur nga mënyra se si po përfundojnë çështjet e skandaleve të mëdha të shkaktuara nga qeverisja, Çuli tha se një gjë e tillë tregon se institucionet e Drejtësisë dhe veçanërisht Prokuroria, janë në presion të fortë dhe të vazhdueshëm nga ana e qeverisë dhe e maxhorancës. “Ne u bëjmë thirrje Prokurorisë edhe institucioneve të tjera të Drejtësisë t’i lënë lojërat e procedurave. Detyra e tyre nuk është t’i tregojnë procedurat njëra-tjetrës, por të vërtetojnë ligjërisht se ku qëndron korrupsioni dhe shpërdorimi. Opinioni publik nuk mund të kuptojë se Prokuroria dhe Gjykata e Lartë nuk dënuakan dot për shkak të procedurave. Të gjitha veprimet, edhe të ditëve të fundit, të institucioneve të Drejtësisë, vërtetojnë se ato nuk janë të pavarura; se ndodhen në presionin e drejtpërdrejtë të z.Berisha dhe se ai kërkon të jetë vetë prokuror dhe vetë gjykatës; vetë të akuzojë dhe vetë të dënojë. Prandaj, kjo prokurori dhe kjo gjykatë duhet të rifitojnë sa më parë statusin e pavarur të tyre dhe të ushtrojnë detyrën për të cilën ekzistojnë, ndryshe demokracia në Shqipëri është tepër e rrezikuar”, - tha deputetja e PSD-së.
Ajo foli gjithashtu edhe për çështjen e kartave të identitetit. Çuli tha se nuk mund të ketë zgjedhje për sa kohë që qytetarët nuk pajisjen me karta. ”Nuk ka zgjedhje pa karta identiteti, pa u pajisur me to, ose me pasaportë çdo votues”, - tha Çuli.
Luis Tanushi
24 Prill 2009