E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi heq imunitetin e Neranxit: “Prokuroria, sulm politik ndaj meje”



Kuvendi miratoi me 62 vota pro dhe 13 kundër heqjen e imunitetit të deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi, pas kërkesës së bërë nga Prokuroria e Përgjithshme për nisjen e hetimit penal ndaj tij lidhur me dyshimet për evazion fiskal. Heqja e imunitetit të deputetit Neranxi, që u bë me votim të fshehtë me elektronikë, u parapri nga leximi në seancë i raportit të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit për këtë çështje nga anëtari i tij, deputeti Ilir Bano. Sipas raportit, heqja e imunitetit është kërkuar nga organi i akuzës pas dyshimeve për mosdeklarim të mallit nga Neranxi në doganën e Kapshticës.
“Në përfundim të shqyrtimit të kësaj kërkese, Këshilli i Rregullores, nisur dhe nga rastet e mëparshme kur është kërkuar heqja e imunitetit për shkak të korrupsionit, votoi në unanimitet pro dhënies së autorizimit për ndjekje penale ndaj z. Neranxi”, - tha deputeti Bano. Në fjalën e tij, deputeti Neranxi e cilësoi heqjen e imunitetit parlamentar si “skenar të ulët politik dhe të nxitur me qëllim para zgjedhjeve të 28 qershorit”. “Kjo kërkesë e ardhur befasisht prej Prokurorisë së Përgjithshme në Parlament është ideuar dhe vënë në lëvizje vetëm për shkaqe dhe qëllime të pastra politike. Dua që në fillim të jem lehtësues i procedurës, të cilën kryetarja e këtij parlamenti e ka pasur me pasion për ta kryer një orë e më parë, për interesa që lidhen me ortakë të saj politikë. Unë nuk kam nevojë për imunitet dhe këtë e kam provuar dhe vazhdoj ta provoj jashtë dyerve të kësaj godine. Imuniteti ka qenë dhe mbetet gjëja më pak e rëndësishme për kaq kohë sa kam qenë deputet”, - tha Neranxi.
Ai u shpreh se ky vendim i Prokurorisë ka ardhur për shkak të opozitarizmit të tij gjatë këtyre katër viteve. Neranxi theksoi se ishte i pari deputet që demaskoi xhuvelizmin dhe nga një deputet i maxhorancës kaloi përkrah opozitës. Ai tha se nuk ka marrë pjesë në skenarët për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, si dhe ka denoncuar prej kohësh aferat korruptive të kryetarit të Bashkisë së Himarës. Të gjitha këto qëndrime të tij, sipas Neranxit, janë kthyer në sulm politik ndaj tij. Ai rrëzoi kërkesën e Prokurorisë duke bërë të ditur se materiali ka mangësi juridike dhe duket qartë se është hartuar me shpejtësi për shkak të një urdhri politik.

24 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›