E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrënojat që denoncojnë

Fatmir Toçi/deputet i PS-së

-Për të shkuar në Parkun Arkeologjik të Amantias, shërben një devijim më pak se një kilometër shteg nga rruga që të shpie në Sevaster, sapo kalon fshatin Ploçë, vetëm 30 km nga qyteti i Vlorës. Rrënojat e lashta të një vendbanimi dhe qytetërimi mbi 2600-vjeçar qëndrojnë sfidues të kohës në majën e një kodre përballë fshatit piktoresk të Plloçës, por të shpërfillura nga shteti e të poshtëruara nga injoranca e njerëzve me pushtet që nuk arrijnë të kuptojnë se çfarë pasurie historiko - kulturore u ka rënë në pjesë. Me një qytet prej 15 hektarësh dhe akropolin me perimetër 2200 m, stadiumin olimpik antik (i vetmi në vendin tonë), tempullin e Afërditës si simbol, teatrin, nekropolin etj.. Amantia ishte krenaria e qytetërimeve ilire dhe pika më e rëndësishme e lidhjes në rrugëkalimet prej Apolonisë dhe Epirit të Lashtë, duke shtrirë dominimin dhe qytetërimin e saj edhe në qendrat e tjera antike sibija të saj si: Olympe (Mavrovë), Cerje (Brataj), Matohasanaj, Hadëraj (Vllahinë), Orik (Orikum) e në gjithë luginën e Lumit të Vlorës.

Por është e dhimbshme kur shikon sot se si trajtohen dhe si janë katandisur rrënojat e lashta të Amantias. Atje ku mbi 2600 vjet më parë ngriheshin vendbanimet e prijësve të fiseve amante sot strehohen bagëtitë dhe rrënojat me mure qiklopikë janë kthyer në stane. Në vend të Prytanit (kryetarit të bashkësisë amante) që drejtonte popullin amantias sot atje gjen çobanin me kërrabë në dorë që ruan bagëtitë, në vendin e Bulesë (Këshilli) funksionon baxho primitive dhe në portat e Amantias ku dikur Toksarku (komandanti i garnizonit) mbronte qytetin, sot të presin frikshëm një lukuni qensh që ruajnë besnikërisht stanet. Me një pasuri të tillë historiko – kulturore, jo vetëm Plloça, por e gjithë zona përreth do të mund ta ndërtonte jetën ndryshe, si komunitet i rëndësishëm në shërbim të turizmit kulturor, ndërkohë që ata janë më të varfër se kurrë dhe të detyruar ta braktisin gjithnjë e më shumë vendlindjen e tyre drejt qyteteve dhe metropolit brenda dhe jashtë vendit.

Kjo gjendje duhet të marrë fund njëherë e mirë, për rrënojat e Amantias dhe për të gjitha objektet e trashëgimisë kulturore që janë lënë në mëshirë të fatit, në dorë të kontrabandistëve të objekteve kulturore dhe njerëzve ordinerë që shembin muret e kalave e ndërtesave antike për të ndërtuar oborret, avllitë, madje edhe banjat e tyre. Dhe flitet paturpësisht për turizëm kulturor, punën e madhe që është bërë për mbrojtjen e monumenteve të kulturës, për politikat për rivitalizimin e trashëgimisë kulturore…e plot të tjera si këto nga një qeveri që e ka dëmtuar trashëgiminë kulturore më shumë se të gjithë pushtuesit që e kanë shkelur vendin tonë përgjatë historisë.

Titulli është redaksional


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›