Një vizion që ndal bathorizimin e Bregdetit
Edi Rama/Kryetar i PS-së
Duam të ngremë menjëherë Agjencinë Kombëtare të Bregdetit...Nuk do lejojmë që bregdeti shqiptar të mbahet i pushtuar me letra të falsifikuara... që ka kthyer në pronarë njerëz, gjyshërit dhe stërgjyshërit e të cilëve detin nuk e kanë parë kurrë Ne jemi të vetëdijshëm se nuk mund të ketë zhvillim modern rural pa mbyllur më në fund, mbas gjithë këtyre viteve zvarritje, gënjeshtra, ndërlikime dhe asfiksi të fshatit, çështjet e pronësisë mbi tokën. Ne zotohemi se do t’i japim certifikatën e pronësisë mbi tokën të gjithë atyre që kanë 20 vjet që e punojnë tokën dhe nuk disponojnë të drejtën e zotit mbi të. Ne do të heqim taksën e biznesit të vogël pas 23 qershorit.
Jo vetëm do të heqim taksën e biznesit të vogël, por edhe te tatim fitimi që është 10% do të bëjmë një ulje të konsiderueshme, sepse biznesi i vogël është sot në kushtet e asfiksisë totale, ndërkohë që duhet të jetë hapësira e vetëpunësimit për sa më shumë njerëz. Janë 400 mijë shqiptarë që punojnë ose që përfitojmë si familjarë nga të ardhurat e biznesit të vogël në Shqipëri, prandaj lehtësimi nga taksat për 400 mijë shqiptarë për ne është një prioritet i ynë dhe ne do ta realizojmë brenda projekt buxhetit të parë. “Kemi rritur numrin e turistëve”, thotë kryeministri. Mirëpo ka diçka që nuk shkon, sepse sa më shumë rritet numri i turistëve aq më shumë bien të ardhurat që vijnë nga ky sektor, në arkën e shtetit. Si shpjegohet kjo...Nuk mund të ketë asnjë argument, asnjë justifikim, nuk mund të ketë asnjë tolerancë ndaj një qeverie që të hapë gojën për turizmin dhe rrugën drejt Vlorës, dhe drejt gjithë bregdetit Jon, ta lërë në një gjendje që do kishte habitur edhe ushtrinë osmane po të kishte kaluar këtej.
Për ne ka një prioritet shumë të rëndësishëm. Duam të ngremë menjëherë Agjencinë Kombëtare të Bregdetit që do jetë një strukturë që do të merret me planifikimin hapësinor dhe me mbrojtjen e territorit në të gjithë bregdetin shqiptar. Bregdeti shqiptar është lënë në inercinë e një rrënimi të vazhdueshëm. Ne do ta ndalim këtë inerci, sepse ne s’mund të lejojmë bathorizimin e bregdetit Jon, siç ka filluar në të gjitha pikat e aksesueshme në infrastrukturë me një valë ndërtimesh pa leje që po shkatërrojnë bregdetin Jon, që është një potencial i madh i zhvillimit të turizmit në Shqipëri. Nga ana tjetër, ne do të zgjidhim çështjen e pronësisë përgjatë gjithë bregdetit dhe nuk do lejojmë që bregdeti shqiptar të mbahet i pushtuar me letra të falsifikuara, me procese gjyqësore të manipuluara nga një Agjenci Kthimi dhe Kompensimi komplet e kontrolluar politikisht, që ka kthyer në pronarë njerëz, gjyshërit dhe stërgjyshërit e të cilëve detin nuk e kanë parë kurrë. Ne do të ndërtojmë Korridorin e Kaltër për të bërë lidhjen e infrastrukturës sonë me infrastrukturën rajonale të bregdetit, me një rrugë e cila të jetë e standardeve europiane, me një korridor i cili të jetë korridori turistik bregdetar i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në kuadrin e turizmit rajonal.
Ne nuk do ta lëmë më Labërinë të izoluar nga deti. Është bërë Labëria sot që të nxjerri gunat e Selam Musait dhe atyre të tjerëve, për të kaluar dhe për të ardhur këtu poshtë. Jo për të zmbrapsur ndonjë pushtues, por për të paguar haraçin e braktisjes që i ka bërë Labërisë dhe gjithë kësaj zone një qeveri, që fatkeqësisht, Vlorën, që nuk është thjeshtë Kryeqyteti i Pavarësisë, por Vlorën që është pika e referimit të të gjithë shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, të Amerikës dhe të gjithë botës, ta trajtojë kështu siç e trajton vetëm se akoma nuk i del e keqja nga një histori që e përvëloi Vlorën dhe ku Vlora i dha ndëshkimin e merituar Saliut. Ne do ta kemi prioritet nxjerrjen e Vlorës nga izolimi. Do ta kemi prioritet nxjerrjen e Vlorës si një portë hyrëse të të gjithë bregdetit Jon...Çdo ndërtesë fshati, nga fshatrat tradicionalë, çdo ndërtesë kulti, apo çdo objekt tjetër i trashëgimisë kulturore do të vihet nën mbrojtje dhe për të do të kujdesemi posaçërisht një për një.
Sepse, duam që realisht bregdetin Jon ta kthejmë në një perlë për turizmin mesdhetar. Të mos lejojmë që të katandiset si një “Golem” tjetër ku jo vetëm të mos vijnë të tjerë, por të fillojnë të ikin pak nga pak edhe ata që vijnë. Do të luftojmë për t’ju dhënë shqiptarëve deri në fund qartësinë e zgjedhjes që do bëjnë më 23 qershor. Zgjedhja këtë herë është po aq e qartë sa ç’ka qenë në vitin 1992. Është po aq e qartë, sepse vota për ata që janë në krye të punëve të qeverisë është mbështetje për rrënimin e mëtejshëm të vendit.
Pjesë nga fjala e mbajtur dje në Vlorë