Ndryshimet në Statut, Asambleja Kombëtare do të thërrasë kongresin e PS-së
Shaban Sulçe
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste do të mblidhet ditën e shtunë në orën 11:00 për të marrë në shqyrtim vendimet e mbledhjes së Kryesisë së PS-së të marra dy ditë më parë. Gjithashtu pritet që Asambleja Kombëtare e PS-së të thërrasë Kongresin në muajin dhjetor, për të marrë në shqyrtim dhe për të miratuar ndryshimet statutore, për të cilat ka pasur një debat të ashpër brenda PS-së në lidhje me këtë çështje, pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Një tjetër vendim i pritshëm do të jetë edhe miratimi i propozimit të Kryesisë për bojkotimin e zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit.
Ndryshimet në Statut
Kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur të ngrejë një grup të posaçëm pune, i cili do të merret me hartimin e propozimeve për ndryshimet statutore. Në përbërje të këtij grupi, i cili drejtohet nga Gramoz Ruçi, bëjnë pjesë deputetët Namik Dokle, Fatmir Xhafaj, Bashkim Fino, Erion Braçe, Blendi Klosi, Damian Gjiknuri, Sajmir Tahiri, Taulant Balla, Arben Ahmetaj dhe Ilir Gjoni. Gjithashtu, në këtë grup merr pjesë edhe Maqo Lakrori, Musa Ulqini, Genc Gjonçaj, Agustin Marku, Rajmonda Gjoni dhe Ndue Doda. Propozimet që do të shqyrtojë Kongresi për ndryshimet statutore pritet të përfshijnë edhe çështjen e heqjes së të drejtës së rikandidimit të kryetarit në rast se humben zgjedhjet. Ky ka qenë edhe një nga pikat kryesore të deputetit Blushi, të cilat u rrëzuan nga Asambleja Kombëtare përpara se të diskutoheshin në Kongresin e Jashtëzakonshëm të 29 gushtit. Ndërkaq, në kongresin e ardhshëm pritet të zënë vend edhe pjesë të platformës së paraqitur nga ish-kandidati Maqo Lakrori përsa u përket ndryshimeve statutore.
Bojkoti
Teksa për çështjen e ndryshimeve statutore Asambleja do t’ia lërë në dorë kongresit të ardhshëm në dhjetor, bojkoti i zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit pritet të jetë një vendim që do të zyrtarizohet ekskluzivisht prej saj. Asambleja Kombëtare Socialiste pritet të miratojë vendimin e ardhur nga Kryesia e PS-së për të bojkotuar procesin zgjedhor që do të zhvillohet në 5 njësi vendore në mesin e muajit të ardhshëm. Kryesia e PS-së, në mbledhjen e dy ditëve më parë, vendosi të bojkotojë këto zgjedhje, si shenjë proteste ndaj refuzimit të maxhorancës për të hapur kutitë e votimit. Por ky vendim shkaktoi debate në mbledhje. Anëtari i Kryesisë dhe deputeti Ben Blushi tha se Kryesia mori një vendim personal të kryetarit Edi Rama, teksa shprehu qëndrimin e tij kundër bojkotit. Ndërkohë që kreu i PS-së, Edi Rama, tha se Kryesia mori një vendim natyral, pasi nuk mund të pajtohet me deformimin dhe manipulimin e votave.
Drafti për hetimin e zgjedhjeve, depozitimi në Kuvend, në nëntor
Nisma e Partisë Socialiste për të kërkuar hetim të zgjedhjeve me firmat e të paktën 20 mijë zgjedhësve është konkretizuar tashmë në formën e një projektligji, i cili po vijon të firmoset nga qytetarë të ndryshëm. Mësohet se projektligji do të depozitohet në Kuvend pas përfundimit të zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit. Socialistët kanë planifikuar që firmosja e projektligjit nga ana e qytetarëve të bëhet paralelisht me protestat që ata do të zhvillojnë në të 12-të qarqet kryesore të vendit. Protesta e ardhshme e Partisë Socialiste pritet të zhvillohet në qytetin e Beratit. Sipas kryetarit të PS-së, Edi Rama, projektligji që kërkon hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit pritet të firmoset nga më shumë se 50 mijë zgjedhës në të gjithë Shqipërinë. Marrja në shqyrtim nga Kuvendi e këtij projektligji të propozuar nga zgjedhësit ka shumë rëndësi për Partinë Socialiste. Në rast se ky projektligj do të shqyrtohet dhe do të miratohet, PS-ja do të ndërpresë menjëherë bojkotin dhe do të hyjë në Kuvend. Ndërkohë që refuzimi i mundshëm i maxhorancës do të bënte që bojkoti i saj të zgjasë edhe më tej. Projektligji përmban 13 nene dhe ka në thelb zbardhjen e së vërtetës dhe garantimin e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Firmëtarët e këtij projektligji do të kërkojnë hetimin e zgjedhjeve, ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e votave, të cilat përbëjnë kushtin dhe kërkesën kryesore të Partisë Socialiste. Projektligji përmban gjithashtu edhe disa nene, të cilat parashikojnë sanksionimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që u bënë pjesë e dëmtimit, manipulimit dhe deformimit të procesit zgjedhor. Projektligji përmban hetim të pakufishëm të institucioneve publike, të administratës zgjedhorëve apo të individëve, të cilët janë bërë pjesë dhe kanë ndikuar në manipulimin dhe deformimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Hetimi dhe vënia përpara përgjegjësisë ligjore do të jetë për të gjithë ata titullarë institucionesh apo pjesëtarë të administratës zgjedhore, të cilët dëmtuan procesin.
15 Tetor 2009