Meta: “Vizita ime në SHBA, për të shprehur shqetësimin për rrezikun që po u kanoset zgjedhjeve”
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka konfirmuar në një intervistë të dhënë për radion “Europa e lirë” se qëllimi i vizitës së tij disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka të bëjë me shqetësimin e LSI-së për rrezikun që po u kanoset zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Meta fajësoi si Partinë Socialiste, ashtu dhe Partinë Demokratike se po bëhen shkaktare të dështimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Unë jam në Uashington pikërisht se jam i shqetësuar për ecurinë e përgatitjeve për zgjedhjet. Është për të ardhur keq që Kodi Zgjedhor u zvarrit për disa vjet nga dy forca të tjera politike. Është një shqetësim i madh pajisja e qytetarëve me karta identiteti, çka është një domosdoshmëri që çdo qytetar shqiptar të ketë mundësinë për të votuar në këto zgjedhje sipas Kodit Elektoral në fuqi. Dhe, në kohën tepër të ngushtë që ka mbetur deri tani, janë disa qindra mijëra qytetarë, që nuk kanë pasaportë, por që duhet të pajisen me kartë identiteti, në mënyrë që të kenë mundësinë për të votuar më 28 qershor. PS dhe PD gjetën gjuhë të përbashkët për të realizuar një kod sa më pranë interesave të ngushta të lidershipit të tyre. Por, për fat të keq, ju po e shikoni se pas të ashtuquajturit konsensus të përpara disa muajve, situata tani është rikthyer në konflikt me akuza reciproke për prishjen apo shkatërrimin e zgjedhjeve të ardhshme. Për fat të keq, këto dy forca politike asnjëherë nuk e kanë pasur sinqerisht çështjen e zgjedhjeve të ndershme në Shqipëri, pasi ne prej kohësh kishim kërkuar që Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore të sillte kodin e ri që përpara Samitit të NATO-s në Bukuresht, gjatë vitit të kaluar”, - tha Meta. Ai i bëri thirrje OSBE-së që të ndërhyjë për të zgjidhur çështjen e kartave dhe për të evituar dështimin që po u kanoset zgjedhjeve.
15 Prill 2009