E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSD-ja prezanton Diana Çulin si kandidate në Përmet



Partia Socialdemokrate ka caktuar Diana Çulin për kandidate të saj në zgjedhjet e ardhshme në qytetin e Përmetit. Ka qenë kryetari i PSD-së Gjinushi që në një takim me strukturat e kësaj partie në rrethet e Përmetit dhe të Tepelenës ka bërë edhe prezantimin e saj. Gjatë fjalës së tij kreu socialdemokrat ka sulmuar edhe njëherë kreun e maxhorancës, Sali Berisha, duke e akuzuar për korrupsion. ”Berisha nuk kujdeset për paratë e popullit, por vetëm të mbushë xhepat e tij“,- tha Gjinushi. Diana Çuli mban postin e sekretares për Marrëdhëniet me Publikun pranë kësaj partie. Çuli është deputete e Parlamentit dhe anëtare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. PSD-ja ka nisur prezantimin e disa prej figurave kryesore të saj në qarqe të ndryshme. Burime nga kjo parti shprehen se lista me emrat që do të kandidojnë në zgjedhjet e 28 qershorit nuk është përcaktuar plotësisht. Edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, nuk e ka vendosur akoma se në cilën zonë do të kandidojë. Ndërkohë PSD-ja ka filluar përgatitjet për kongresin që do të zhvillojë në fund të muajit. Ai do të fillojë më 30 prill dhe do t’i vazhdojë punimet dy ditë. Kongresi pritet të formalizojë koalicionin me PS-në dhe listën e kandidatëve për zgjedhje.

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›