E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Laç: “Në fund të mandatit tonë të parë varfëria do të përgjysmohet”

Kreu i PS-së nis turin e prezantimit të programit të ri qeverisës. Rama: “Do ta reduktojmë varfërinë falë punësimit të shqiptarëve”

Shaban Sulçe
Ka qenë Laçi qyteti i parë i përzgjedhur nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, për turin e prezantimit të programit të ri qeverisës së Partisë Socialiste. Në këtë qytet Rama ka folur për politikat sociale dhe luftën kundër varfërisë, si një prej 7 shtyllave kryesore të programit qeverisës së selisë rozë. Laçi është zgjedhur jo rastësisht nga kryesocialisti Rama, pasi ky qytet është ndër qytetet më të varfra në Shqipëri. Në takimin e zhvilluar me banorët, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka premtuar se në fund të mandatit të parë qeverisës, varfëria në të gjithë Shqipërinë do të jetë përgjysmuar. Sipas Ramës, një gjë e tillë do të arrihet falë punësimit në masë të shqiptarëve. “Unë jam besimplotë se në fund të mandatit tonë të parë, varfëria, ashtu siç e matim sot, do të përgjysmohet. Vlerësimi ynë është se varfëria reale është rreth 40% dhe në zonat malore kalon mbi 50%. Aktualisht 1 në 5 shqiptarë jeton me më pak se 2 dollarë në ditë, ndërsa 1 në 10 jeton me më pak se 1 dollarë në ditë. Vetëm për të paguar ujin, energjinë dhe bukën, në një muaj, është më shumë sesa ndihma ekonomike që i jepet një familjeje të varfër. Dhe përgjigjja e duhur ndaj varfërisë nuk është lëmosha, por punësimi”, - tha kryesocialisti Edi Rama.

Varfëria

Rama e nisi fjalën e tij duke u fokusuar te kohezioni social. Sipas tij, Shqipëria jo vetëm që ka një varfëri të dukshme dhe therëse në të katër anët e vendit, por ka edhe një hendek të madh mes një shumice gjithmonë e më të varfër, që shtohet përditë dhe një pakice gjithmonë e më të pasur, që pakësohet përditë. Sipas Ramës, kjo ndodh pasi të ardhurat përqendrohen te një pjesë e vogël njerëzish, por kreu i PS-së premtoi se do t’u ofronte shqiptarëve bashkëjetesës sociale dhe kohezion social. “Ne do t’u ofrojmë shqiptarëve bashkëjetesë sociale dhe kohezion social. Çka do të thotë se do të krijojmë kushtet që shqiptarët të kenë më shumë solidaritet mes njëri-tjetrit në rrugën drejt suksesit, ku Shqipëria të bëhet vendi ku punohet dhe jetohet me dinjitet dhe ku përfundimisht njerëzit do të ndahen nga varfëria e skajshme dhe e përjashtimit social”, - tha Rama.

Punësimi
Kreu i PS-së tha se varfëria e skajshme në Shqipëri ka ardhur si rezultat i keqqeverisjes së këtyre 18 viteve tranzicion. Ai theksoi se Partia Socialiste synon ta zhdukë varfërinë jo me anë të lëmoshave, por me anë të strategjive efikase për të garantuar punësimin e shqiptarëve. Sipas Ramës, shtylla kryesore e programit qeverisës së Partisë Socialiste do të jetë zëvendësimi i ndihmës ekonomike si lëmoshë me ndihmën ekonomike si mundësi reale si punësim dhe kontribut i drejtpërdrejtë në komunitet e në shoqëri. “Për ne varfëria nuk është fat i keq i njerëzve, por pasojë e keqqeverisjes. Varfëria nuk është bashkudhëtare e pashmangshme e ekonomisë së tregut, por mungesë kushtesh për të vënë në jetë njohurit, shprehitë dhe aftësitë dhe talentet e njerëzve. Ajo që dua të theksoj dhe përbën dallimin thelbësor mes programit tonë dhe rrugës tonë të re, mënyrës se si është kuptuar dhe trajtuar varfëria gjatë këtyre 18 vjetëve, qëndron në faktin se ne nuk do t’i matim politikat sociale me rritjen e lëmoshës për të varfrit, siç bën qeveria e sotme, në vijim të keqqeverisjes dhe keqtrajtimit të këtij problemi prej 18 vjetësh, por do t’i matim me numrin e familjeve që do të nxjerrim një herë e mirë nga varfëria. Ajo që do të përbëjë shtyllën themelore të këtij programi, do të jetë zëvendësimi i ndihmës ekonomike si lëmoshë me ndihmën ekonomike si mundësi reale si punësim dhe kontribut të drejtpërdrejtë në komunitet e në shoqëri”, - tha Rama në takimin e zhvilluar me banorët e Laçit.

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›