E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pernaska: “Do të vazhdoj garën për kreun e PD-së së Tiranës”



Kandidatja e parë femër për postin e kryetares së Partisë Demokratike të Tiranës, Lajla Pernaska, është shprehur dje se do të vazhdojë garën për këtë post, pavarësisht deklarimit të kryetarit Berisha në mbështetje të kandidaturës së Aldo Bumçit. Ndërsa pak ditë më parë, kandidati tjetër për kreun e PD-së së Tiranës, Besnik Mustafaj, e cilësoi thyerje të rregullit të garës shprehjen e simpatisë nga kryeministri Berisha për kandidaturën e Aldo Bumçit. Ndërsa deputetja Pernaska është shprehur dje se gara po zhvillohet normalisht. “Gara ka rregullat e saj të qarta që zhvillohet si proces në të gjitha hallkat përkatëse, por në fund të fundit të mos harrojmë se gara është dhe tifozllëk dhe, gjithsesi, bëhet një lloj tifozllëku për secilin nga kandidatët që janë përfshirë në garë. Kushdo ka të drejtën që të shprehë këtë lloj tifozllëku ose preference, po themi, për një kandidat ose një tjetër. Por dhe në këtë stad ku jemi procesi vazhdon dhe po respektohen të gjitha hallkat e realizimit të këtij procesi. Përderisa nuk është finalizuar procesi, gara natyrshëm vazhdon, aq më tepër tashmë që edhe brenda rrethit të Tiranës po shkon drejt finalizimit”, - është shprehur Pernaska. Ajo shton më tej se me procedurat e ndjekura deri tani gara për kreun e PD-së së Tiranës do të mbyllet në fund të muajit prill.

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›