E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese: Nuk kemi konflikt interesi për të shqyrtuar ligjin e dosjeve

Kushtetuesja i kthen përgjigje PD-së për ligjin e lustracionit. Më 7 maj do të diskutohet rrëzimi ose jo i ligjit për hapjen e dosjeve

Eljona Ballhysa
Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje pretendimin e PD-së se ka konflikt interesi dhe nuk mund ta shqyrtojë ligjin e lustracionit. Gjatë mbledhjes së djeshme, përfaqësuesi ligjor i Kuvendit u ka kërkuar anëtarëve të kësaj gjykate të shqyrtojnë faktin se disa prej tyre nuk mund ta shqyrtojnë këtë ligj pasi janë në konflikt interesi. Ndërsa kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, e hodhi poshtë pretendimin e Kuvendit, duke bërë të ditur se Gjykata nuk ka konflikt interes për këtë ligj, duke e konsideruar abstrakte kërkesën e Kuvendit. Gjatë mbledhjes së djeshme, Gjykata Kushtetuese vendosi ta shqyrtojë kushtetutshmërinë e ligjit të dosjeve në datën 7 maj. Shtyrja e shqyrtimit erdhi për shkak të kërkesës së përfaqësuesve të PS-së, të cilët nuk ndodheshin në mbledhje.
Qëndrimi
“Gjykata Kushtetuese është një organ kushtetues që garanton Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese është i vetmi organ kushtetues në sistemin e organeve kushtetuese të Republikës së Shqipërisë që ka kompetencë të shqyrtojë papajtueshmërinë e një ligji me Kushtetutën. Asnjë organ tjetër nuk mund ta zëvendësojë Kushtetuesen në realizimin e kësaj detyre kushtetuese. Të gjitha këto argumente e bëjnë Gjykatën Kushtetuese që në këtë rast ta konsiderojë të pabazuar kërkesën e paraqitur nga përfaqësuesi i Kuvendit”, - u shpreh Vladimir Kristo, kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
Kërkesa e Kuvendit ka hasur gjithashtu dhe në reagimin e Shoqatës së Prokurorëve dhe të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të cilët e kanë cilësuar të pabazë kërkesën e PD-së. Përmes përfaqësuesve të tyre ligjorë, këto dy institucione i qëndrojnë idesë se gjykata është garanti i Kushtetutës dhe ka të drejtën të shqyrtojë ligjin për verifikimin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve të lartë.
Mbledhja
Ndërkohë që mbledhja për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së ligjit do të zhvillohet në datën 7 maj, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimri Kristo, u shpreh se "vendimi merret pas kërkesës së Partisë Socialiste, e cila njoftoi mungesën e përfaqësuesve ligjorë të saj. Ndonëse shkaqet e paraqitura nga Grupi Parlamentar i PS-së nuk janë plotësisht të bazuara, Gjykata Kushtetuese, në interes të çështjes, ka vendosur që më 7 maj të dëgjojë argumentet e 36 deputetëve socialistë që kanë bërë kërkesë në këtë gjykatë kundër ligjit të lustracionit”, - u shpreh Kristo. Ligji i dosjeve u miratua nga Kuvendi më 22 dhjetor të vitit 2008 vetëm me votat e maxhorancës. Opozita e majtë refuzoi ta votojë për këtë ligj, duke e cilësuar atë antikushtetues. Në këtë drejtim, 36 deputetë socialistë iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar pezullimin e zbatimit të këtij ligji. Kërkesa e tyre konsiston në shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve. Aktualisht ligji, edhe pse i miratuar, nuk mund të zbatohet për shkak të një vendimi të mëparshëm të kësaj gjykate për ta pezulluar atë. Gjykata Kushtetuese gjithashtu e ka dërguar ligjin për shqyrtim në Komisionin e Venecias dhe priten rekomandimet e tij.

e

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›