E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ-ja shtyn punimet, opozita bojkot mbledhjes

11/01/2011  Rinis sërish djegia e fletëve të votimit, brenda 20 ditëve mbyllet procesi

Subashi: Nuk kemi asnjë komunikim me kryetarin e institucionit

Ka dështuar mbledhja e radhës e programuar të zhvillohej paraditen e djeshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në të cilën pritej të diskutohej mbi projektbuxhetin e këtij institucioni për organizimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit. Pas largimit demonstrativ të përfaqësuesve të opozitës nga mbledhja e fundit e së premtes në shenjë proteste për vendimin e marrë nga institucioni më i lartë zgjedhor, kësaj radhe anëtarët e majtë nuk janë paraqitur dhe për këtë bëhet me dije nga zëdhënësi i KQZ-së Arti Lushaj mbledhja pritet të zhvillohet sot.

Asgjësimi i fletëve

Pas pushimit njëditor të së dielës nga punonjësit e KQZ-së të ngarkuar në ekzekutimin e vendimit për asgjësimin e fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, dje ata i janë rikthyer punës që në orët e para të mëngjesit. Zëdhënësi i KQZ-së bëri me dije për “Metropol” se puna do të vazhdojë me ritme të larta dhe pritet që brenda pak ditësh të përfundojë i gjithë procesi i djegies së fletëve të votimit. “Shkak i ndalimit të punimeve të djeshme (është fjala për të dielën) ishte ritmi i lartë i punës së bërë nga të ngarkuarit tanë për djegien e fletëve, ku për tri ditë u dogjën fletët e 1000 kutive, nga 10 mijë të tilla. Por sot të gjithë i janë rikthyer punës për të bërë të mundur përfundimin sa më shpejt të këtij procesi, në mënyrë që ti hapet rrugë organizimit të zgjedhjeve të ardhshme vendore, që do të zhvillohen javën e parë të majit”, - u shpreh Arti Lushaj, zëdhënësi i zyrës së shtypit të KQZ-së.

Kriza në KQZ

Kriza politike tashmë është transferuar edhe në KQZ, ku anëtarët dhe drejtuesit e saj nuk arrijnë të komunikojnë ndërmjet tyre pas vendimit të 29 dhjetorit për hapjen e kutive të votimit dhe djegien e fletëve dhe kundërfletëve të votimit, si dhe arkivimin e listave dhe materialeve zgjedhore të zgjedhjeve të kaluara elektorale të 28 qershorit 2009 në Arkivin e Shtetit. Një fakt i tillë është konfirmuar edhe nga nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi, e cila u shpreh dje se “prej kohësh nuk kam komunikim me Ristanin, i cili nxjerr urdhra që kalojnë si vendime të institucionit zgjedhor pa marrë miratimin e të gjithë anëtarëve”. Duke u ndalur në raportet e vështira që ajo vazhdon të ketë me shefin e saj Arben Ristani, nënkryetarja e KQZ-së, duke theksuar dhe qëndrimin e saj kundër vendimit të 29 dhjetorit të vitit të kaluar, pranoi se asnjëherë në zyrën e saj nuk ka pasur një dokument që përcaktonte ngritjen e grupeve të punës për asgjësimin e fletëve të votimit. Por nga ana tjetër Subashi theksoi se qëndrimi i saj dhe i dy anëtarëve të tjerë që braktisën dy mbledhjet e fundit, ku u vendos përfundimisht fati i zgjedhjeve të kaluara vetëm me katër vota “pro”, nuk ka qenë qëndrim politik dhe se mungesa e tyre në punimet e KQZ-së është një fenomen shqetësues. Në lidhje me zhvillimin zgjedhjeve lokale të 8 majit nënkryeja e KQZ-së pohoi se është vonë për të bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor, ku shkak, sipas saj, ka qenë ngërçi politik, ku opozita pas më shumë se një viti e gjysmë bojkoti në Parlament nuk arriti të miratonte ngritjen e një komisioni hetimor për hetimin e zgjedhjeve të shumëkontestuara të 28 qershorit të vitit 2009. Sa i përket ndonjë tërheqjeje të mundshme nga KQZ-ja nga ana e saj, Subashi theksoi se “është një vendim që do ta ndërmarrë Partia Socialiste”.

Ngërçi

Ngërçi politik mes mazhorancës dhe opozitës është thelluar më shumë pas vendimit të KQZ-së për djegien e fletëvotimeve, që pritet të përfundojë më 5 mars, vendim ky që ka ndezur sërish ditët e fundit debatet politike në vend. Këtë e ka paralajmëruar opozita, e cila, duke e konsideruar procesin e asgjësimit të fletëve të votimit si dhe dërgimin në Arkivin e Shtetit të materialeve zgjedhore si të jashtëligjshëm, ka paralajmëruar protesta deri në rrëzimin e qeverisë dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare, kur zgjedhjet lokale do të mbahen në muajin maj.

Buxheti

Vetëm dy ditë para fillimit të procesit të djegieve të fletëve të votimit kreu i KQZ-së, Arben Ristani, bëri të ditur shifrën që qeveria do të vërë në dispozicion të saj për zgjedhjet e ardhshme vendore. Fatura e zgjedhjeve lokale, ende jo zyrtare, sipas Ristanit do të jetë rreth 750 milionë lekë, që do ti kërkohen qeverisë për zgjedhjet.

Djegia

Për të realizuar procesin e djegies së fletëve të votimit të zgjedhjeve të kaluara elektorale KQZ-ja ka ngarkuar 48 punonjës si personel shtesë. Ka vënë në dispozicion afro 1500 litra benzinë për djegien e fletëve të votimit dhe transportin e kutive dhe materialeve të tjera zgjedhore që duhet të arkivohen në Arkivin e Shtetit.

Vendimi

KQZ-ja në mungesë të pjesëmarrjes në votim të tre pjesëtarëve të opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me katër vota “pro” vendosi miratimin e projektvendimit që parashikonte djegien e fletëve të votimit të zgjedhjeve elektorale të 28 qershorit. Ky proces nisi më datën 7 janar dhe do të zgjasë deri më 5 mars.

Konferenca e Kryetarëve

Miratohet kalendari 3-javor i punimeve të Kuvendit

Paraditen e djeshme nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli u zhvillua Konferenca e Kryetarëve, në të cilën u miratua programi i punës së Kuvendit për periudhën 17 janar–17 mars të këtij viti si dhe kalendari trejavor i punimeve të Kuvendit. Në Konferencën e djeshme të Kryetarëve, ku të pranishëm ishin kryetarët e grupeve parlamentare, zëvendëskryetarët e Kuvendit dhe kryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare, u vendos që pas pushimeve të fundvitit Kuvendi i Shqipërisë do të rifillojë punimet të hënën e ardhshme me një kalendar të ngjeshur pune. Ndër diskutimet që pritet të zhvillohen në komisione dhe seancë është akti normativ i qeverisë në lidhje me buxhetin e vitit të shkuar. Ky akt normativ parashikon që tepricat e buxhetit të vitit të shkuar të kalojnë për likuidimin e firmave të ndërtimit që janë angazhuar në ndërtimin e rrugëve, një buxhet që arrin në rreth 50 milionë dollarë. Opozita ka shfaqur rezervat e saj në lidhje me këtë çështje. Në njoftimin zyrtar të Kryesisë së Kuvendit theksohet se “gjatë mbledhjes u diskutua lidhur me programin e punës për periudhën 17 janar–17 mars 2011 si dhe kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit”. Pas diskutimeve për programin e punës së Kuvendit në fund të mbledhjes Konferenca e Kryetarëve miratoi programin dhe kalendarin e paraqitur.

Seanca e fundit

Në seancën maratonë të 27 dhjetorit mazhoranca dhe opozita nuk arritën konsensusin e shumëkërkuar edhe nga faktori ndërkombëtar për zgjidhjen e ngërçit politik si dhe ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, kërkesë kjo e bërë nga opozita. Por ky ngërç duket se do të vijojë edhe në punimet e sesionit të ardhshëm parlamentar, kur duhet të miratohen edhe ligje mjaft të rëndësishëm që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash në Parlament.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›