KQZ kërkon sqarime nga KZAP

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me shumicë votash ka vendosur të hënën që të kërkojë sqarim zyrtar nga Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) përkitazi me vendimin e këtij të fundit, përmes të cilit udhëzon KQZ-në që të urdhërojë përsëritjen e zgjedhjeve në tri komuna, në Prizren, Gjilan dhe Lipjan.
Pas një debati polemizues mes anëtarëve të PDK-së dhe atij të AKR-së në njërën anë të cilët mendonin që KQZ duhet të kërkojë sqarim nga KZAP-i për vendimin dhe anëtarit të LDK-së dhe atij të AAK-së në anën tjetër, të cilët vendimin e KZAP-it e konsideronin si mjaft të qartë, KQZ më 7 vota për, dy kundër dhe dy abstenime ka vendosur që të kërkojë sqarim nga KZAP-i për dispozitën e vendimit në të cilin udhëzohet KQZ-ja që të urdhërojë rivotimet në tri komuna.
Kryetarja e KQZ-së Nesrin Lushta ka thënë pas marrjes së këtij vendimi se kishte disa prej anëtarëve të KQZ-së që nuk e kishin të qartë vendimin e KZAP-it, përkatësisht një dispozitë të këtij vendimi dhe kishte të tjerë që kanë thënë se dispozita ligjore është mjaft e qartë.
“Vendimi, të cilin sot e mori Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është jo që KZAP-i eventualisht ta ndryshojë këtë vendim, aspak, mirëpo vetëm të jap një sqarim pse në dispozitivin e vendimit të vetë e ka përdorë termin udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, ka thënë Lushta.
Ajo ka bërë të ditur se KQZ ka marrë vendimin e KZAP-it më 19 dhjetor, në të cilin janë aprovuar ankesat dhe janë numëruar se cilat janë ato ankesa, ndërkaq në pikën 2 të dispozitës ligjore është thënë se udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të urdhërojë rivotimin në tri komuna dhe kjo sipas Lushtës, ka krijuar paqartësi për anëtarët e KQZ-së.
Vendimi i KQZ-së, i cili mori shumicën e votave ishte propozim i dy kandidatëve të PDK-së, të cilët kanë thënë se KZAP-i duhet ta sqarojë vendimin e vetë, ngase sipas tyre, ashtu siç është interpretuar nga KZAP-i në media dhe nga vetë kryetari i këtij institucioni, ky vendim nuk është obligativ për KQZ-në, por është një sugjerim që të vazhdohet puna më tej.
“Unë jam i mendimit që ne zyrtarisht ta kërkojmë interpretimin e drejtë të këtij dispozitivi të vendimit. A është KQZ-ja e obliguar ta zbatojë, apo udhëzon për zbatimin e këtij vendimi”, ka thënë anëtari i PDK-së në KQZ, Xhelil Pajaziti.
Ndërkaq në anën tjetër, Florian Dushi, anëtar i KQZ-së nga LDK-ja ka thënë se vendimi i KZAP-it është i qartë, sikur që është edhe ligji mjaft i qartë.
Duke u bazuar në ligj, Dushi ka thënë se vendimet e KZAP-it janë obligative për KQZ-në dhe se një vendim i tillë është andaj ka kërkuar që të vazhdohet me procedimin e tij.
“Unë mendoj se çështja se cili është qëndrimi i KZAP-it ose çka mendon KZAP-i të kërkohet interpretim të vendimit të tyre është e panevojshme, sepse mendimi im është se gjithçka është e qartë”, ka thënë Dushi.
Dushi është përkrahur edhe nga anëtari i AAK-në Blerim Burjani, i cili ka konsideruar se gjithçka është e qartë sa i përket vendimit të KZAP-it, andaj bashkë me Dushin kanë votuar kundër propozimit që KQZ-ja të kërkojë sqarim nga KZAP-it, kurse Fadil Maloku nga AKR-ja ka mbështetur qëndrimin e dy anëtarëve të PDK-së që të kërkohet sqarim, andaj bashkë edhe me përfaqësuesit e pakicave ka votuar pro propozimit për të kërkuar sqarim nga KZAP-i.
Maloku madje ka thënë se KZAP-i po punon me standarde të dyfishta, duke e përmendur me këtë rast mos aprovimin e ankesave të AKR-së për komunën e Gjakovës.
Ndërkohë, anëtari i LDD-së dhe kryetarja e KQZ-së kanë zgjedhur të rrinë anash, duke abstenuar në këtë propozim.
Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të shtunën ka marrë vendim për aprovimin e ankesave për tri komunat, Prizren, Gjilan dhe Lipjan, ndërkohë që ka udhëzuar KQZ-në që të përsëris zgjedhjet në këto tri komuna ku janë evidentuar parregullsi gjatë votimit në balotazh. /kosovapress/