E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ listat ne Arkivin e Shtetit. Tre te opozites ikin nga mbledhja

Lista e votuesve të zgjedhjeve 2009 do të dërgohet në Arkivën e Shtetit. Vendimin e morën katër anetarët e zgjedhur nga shumica në institucionin qendror të administrimit të zgjedhjeve. Anëtarët që përfaqësojnë opozitën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi Pandeli Varfi dhe Artan Laze u larguan nga mbledhja duke e cilësuar aktin të paligjshëm, sic në një mbledhje të mëparshme u shprehën kundër zbrazjes së kutive të votimit të 28 qershorit 2009.

"Këto akte dhe këto vendime që merr KQZ-ja, në kundërshtim të hapur me Kodin Zgjedhor me 4 votat e këtij komisioni, sigurisht janë akte nul dhe nuk prodhojnë efekte", u shpreh Dëshira Subashi, nënkryetare e KQZ-së. "Mendova që sigurisht do të qëndronit të debatonit mbi bazën e ligjit. Unë ju dhashë fjalën normalisht", tha Arben Ristani, kryetar i KQZ-së.

"Duke qenë se unë votoj kundër në parim, është i panevojshëm qëndrimi im për të diskutuar nen për nen", tha Artan Laze, anëtar i KQZ-së. "Merr një vendim një institucion dhe cohet dikush dhe thotë ke shkelur ligjin. Si? Ka rrugë ligjore, është gjykata që vendos dhe KQZ të paktën që nga zgjedhjet deri tani ka rekord. Është në minimum numri i kthyer i vendimeve të KQZ nga gjykata dhe Kolegji zgjedhor", deklaroi Klement Zguri, anëtar i KQZ-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ishte i detyruar të vendoste për fatin e listës  së votuesve të zgjedhjeve 2009, pasi në kodin elektoral nuk ishte përcaktuar se cfarë ndodhte me to. Pas vendimit të marrë, lista e votuesve së bashku me dokumenta të tjerë zgjedhorë, do të depozitohet në arkivën e shtetit. 

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›