KQZ, marrëveshje me KKRT-në për zgjedhjet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje memorandumin e bashkëpunimit me Këshillin Kombëtar të Radiotelevizionit për monitorimin e fushatës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është angazhimi i palëve, në përputhje me detyrimet ligjore, për përcaktimin e rregullave, për shfrytëzimin e kapaciteteve teknike të KKRT-së, për nevojat e monitorimit të fushatës zgjedhore, në radion dhe televizionin publik dhe privat, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme. Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit do të marrë përsipër vënien në dispozicion të Bordit të Monitorimit të Medias, strukturë e KQZ-së, pajisjet teknike për monitorim, të vërë në dispozicion të bordit ambiente të mjaftueshme për kryerjen e monitorimit, studion e monitorimit dhe personelin teknik dhe monitorues përkatës. Ndërsa KQZ-ja do të marrë përsipër shpenzimet financiare për pagesёn e personelit, që do të angazhohet për monitorim. Regjistrimi i sinjalit në mënyrë dixhitale do të bëhet nga KKRT-ja deri në 15 operatorë radiotelevizivë.
Rama: Pse nuk u përgjigjem rivalëve të mi politikë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se preferon të mos u përgjigjet sharjeve që vijnë nga rivalët e tij politikë, pasi sipas tij, kjo nuk e përmirëson situatën në vend. I pyetur nga salla në takimin e tij në Ballsh se përse nuk u përgjigjet sharjeve që i drejtojnë Sali Berisha dhe Ilir Meta, kryesocialisti Edi Rama ka shpjeguar qëndrimin e tij. "Është e disata herë që më kërkohet që unë të shaj. Unë do ta bëja në rast se sharjet e mia do të ndihmonin ty të jetoje më mirë, në rast se nga të sharat e mia ti do të gjeje punë, në rast se nga të sharat e mia ti do ta paguaje me çmime të arsyeshme ushqimin për vete dhe familjen, në rast se ti do shkoje në spital e do kishe një shërbim më të mirë, unë nuk do pushoja së shari", - tha Rama. Kreu i PS-së u bëri thirrje të pranishmëve në takim që me të gjithë qytetarët të sillen me të njëjtën mënyrë, për të realizuar atë që t’i japin jetë qeverisjes së ardhshme të politikes së re. "Shikoni te njëri-tjetri një fuqi më shumë dhe jo një problem më shumë, shikoni te njëri-tjetri një arsye më shumë për të luftuar së bashku dhe jo një arsye më pak", - vijoi ai.