E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, fushatë me kompaninë e Barak Obamës



Lëvizja Socialiste për Integrim shpalli dje bashkëpunimin me kompaninë amerikane që do të kujdeset për imazhin e saj elektoral. Bëhet fjalë për “Greenberg Quinlan Rosner”, e cila ka asistuar gjatë fushatës elektorale të Presidentit amerikan, Barak Obama. Njëkohësisht, “Greenberg Quinlan Rosner” është kompania që ka bërë fushatën e liderëve në botë, si të ish-Presidentit Klinton, ish-Kryeministrit të Britanisë, Bler, të Kancelarit të Austrisë, Gusenbauer, apo dhe të Mandelës.

Amerikanizimi i fushatës elektorale, e kryesisht sipas modelit Obama është një fenomen që po ndodh tek partitë politike shqiptare. Në garën e përhershme mes dy partive të majta, PS e LSI, përafrimi me elementë të fushatës së Obamës është më e theksuar, ndaj LSI-ja ka nxituar të publikojë e para marrëveshjen e saj bashkëpunuese me një kompani amerikane e cila mban në begraundin e saj emrin e Obamës. Edhe socialistët nga ana e tyre kanë kontaktuar një kompani amerikane, por janë kujdesur që të mos bëjnë asgjë publike për momentin. Ndërsa nga ana tjetër, amerikanët e kompanisë së kontraktuar nga LSI-ja kanë mbërritur qysh para disa javësh në Shqipëri dhe kanë kontaktuar me stafin e partisë duke hedhur ide për organizimin e fushatës elektorale, imazhin e Metës si lider i partisë, mesazhet që duhet të japin etj. Vetëm dje palët kanë rënë dakord që të publikojnë bashkëpunimin mes tyre.

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë prezantimit të stafit të kompanisë u shpreh i bindur për suksesin e partisë së tij në bashkëpunim me “Greenberg Quinlan Rosner”. Ndërsa zv.drejtori i kësaj kompanie z. Fajershtejn tha se ka zgjedhur të bashkëpunojë me LSI-në dhe Ilir Metën, sepse kjo kompani punon me kandidatë progresistë. Referuar traditës së LSI-së, sipas Fajershtejnit, ka ngjashmëri mes saj dhe kandidatëve demokratë në SHBA. Kompania në fjalë ka qenë dhe në fushatën e fundit presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pjesë e Komitetit të Financës dhe të ekipit të Politikës së Jashtme të kandidatit për President atëherë dhe sot President i SHBA-së, z. Obama. Njëkohësisht ka qenë pjesë e administratës së ish-Presidentit Klinton.

Kjo kompani ka punuar në Britaninë e Madhe për Toni Blerin, me Nelson Mandelën në Afrikën e Jugut, në vitin 1993, në 2006, për socialdemokratët në Austri, ndërsa ndër fushatat e fundit ka qenë në Salvador ku ka punuar me kandidatin Mauricio Funes dhe kjo ka qenë fitorja e tij e parë në Salvador.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›