PD-PS, debate për ligjin e legalizimeve
Mazhoranca dhe opozita shkëmbyen dje replika në lidhje me një ndryshim në ligjin për urbanistikën dhe për legalizimin. Opozita votoi kundër, ashtu sikurse kishte paralajmëruar më parë. Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, tha: “Bëni një propozim nga 1 për qind në 0.1 dhe ajo që është më e keqa, është pikërisht që bashkitë më të mëdha të vendit, po pse jo, dhe komunat si element të zhvillimit të tyre, cenohen rëndë në atë që u mungon deri më tani. Është një politikë e cila në vend që ta ulë atë riskun politik që ushtrohet në të gjitha nivelet e qeverisë, vjen dhe rritet duke e bërë më abuzive, pra ju ndërhyni në autoritetin tuaj për të bërë këto deformime që gjoja janë reduktime kostosh për biznesin pa mbajtur parasysh se çfarë do të thotë të qenit pushteti vendor”, - tha Malaj. Ndërkohë, ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, tha: “Kjo në vetvete është një masë për të lehtësuar dhe për të ulur një kosto të tepërt të pajustifikueshme dhe të paargumentueshme të disa veprave dhe investimeve të mëdha për të cilat interesi dhe përftimi është vetëm publik. Për vepra të tilla duhet menduar se përfitimi i pushtetit vendor në formë indirekte është shumë më i madh”. Drafti parashikon kalimin e kompetencave nga pushteti vendor tek agjencia e legalizimeve në rast se zyrat e urbanistikës dhe këshillat e qarqeve nuk dorëzojnë brenda afateve dokumentet që vërtetojnë aplikimet për ndërtimet e paligjshme.
PS-ja dorëzon nismën për kartat në Kuvend
Partia Socialiste ka dorëzuar dje projektligjin e saj në Kuvendin e Shqipërisë për pajisjen e shtetasve me karta identiteti. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, theksoi se me anë të këtij projektligji, do t’u vihet në ndihmë të gjithë shtetasve pa pasaportë që nuk kanë mundësi financiare për të marrë kartat e identitetit. Sipas saj, nëse qeveria nuk merr masa, procesi ka rrezik të dështojë. Leskaj reagoi ndaj deklaratës së një dite më parë të Kryeministrit Sali Berisha, i cili nuk e pranoi këtë propozim të socialistëve. Sipas saj: "Përgjigja e kreut të qeverisë rrezikon procesin, pasi ne prisnim një reflektim dhe përgjigje serioze për këtë çështje të rëndësishme". Leskaj tha se dalja e saj në Kuvend ka të bëjë më shumë me llogaritë e shifrave që ka qeveria kundrejt pajisjes së qytetarëve me dokumentet e reja. “Nuk kam dalë këtu për të përsëritur nismën, por për shkak të deklaratës së Kryeministrit, për shifrat që dha dje. Kryeministri jo vetëm që nuk dha përgjigje, por të dhënat që solli janë kontradiktore dhe kjo na shqetëson. Kryeministri dje tha se 125 mijë qytetarë janë në Tiranë, ndërkohë që zv.ministri Poni tha që janë 110 mijë qytetarë në shkallë vendi. Si ka mundësi që në Tiranë paskan aplikuar më shumë se ç’është aplikuar në shkallë vendi?”
“Çështja e kartave është çështje kyç për zgjedhjet, ndaj është detyra e shtetit të krijojë lehtësira për shtetasit e saj”, - theksoi Leskaj para deputetëve.