E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: PS-ja po nxin procesin e pajisjes me karta



Zv.kryeministri Genc Pollo reagoi dje në seancën parlamentare lidhur me nismën ligjore të PS-së për kartat e identitetit. Pollo tha se është e padrejtë dhe se nuk ndodh në asnjë vend të botës që kartat të jepen falas. Zëvendëskryeministri deklaroi se shumë kategori janë subvencionuar nga shteti për kartat, duke përmendur këtu pensionistët dhe shtresat e tjera në nevojë. Ai ka akuzuar Partinë Socialiste se po tenton të nxijë procesin, duke mos u bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë për karta. “U bëjmë thirrje përditë qytetarëve që të shkojnë të aplikojnë. Këtë e ka thënë Presidenti, Kryeministri, ndërkombëtarët, dhe theksoj që i vetmi që s’e ka bërë, është Edi Rama. Ky përkundrazi, me të dhëna kontradiktore po nxin procesin që po ecën normalisht”, - tha Pollo.

“Deri më tani kemi 13 mijë aplikime në ditë dhe së shpejti ky numër do të arrijë në 15 mijë aplikime në ditë”, - tha Pollo. Sipas Pollos, ka ikur koha kur PS-ja manipulonte regjistrat e zgjedhësve. “Sot është mbuluar 80% e popullsisë me dokumente të reja dhe në fund të muajit do të jetë më shumë se kaq, ndaj procesi nuk është në rrezik”, - tha Pollo. Sipas tij, edhe “satelitët e PS-së” gabojnë, pasi ndryshe ka publikuar dje të dhënat Edi Rama dhe ndryshe sot Leskaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›