KQZ miraton fletën e votimit,debat për komisionerët e PBDNJ-së
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve debaton në lidhje me komisionerët e PBDNJ-së, të cilët nuk janë paraqitur sipas dokumenteve të kërkuara. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi ka shprehur kontestimin e saj për mënyrën e paraqitjes së dokumentacionit të paraqitur nga ana e PBDNJ-së për anëtarët e KZAZ-së, të cilët zëvendësojnë përfaqësuesit e Partisë Socialiste. “Bojkoti ndodhet në vështirësi të tilla, jemi detyruar të pranojnë propozime të tilla, në mënyrë që forcat politike të na sjellin dhe t’i miratojmë ato sa më parë, pasi jemi në shkelje të afateve”, deklaroi kreu i KQZ-së, Arben Ristani në lidhje me kërkesën e Subashit. Por nënkryetarja ka deklaruar se një gjë e tillë: “Nuk ka lidhje tashmë procedura me mossjelljen e kandidaturave të PS-së”. “Në e i lamë një afat tjetër PBDNJ-së për të sjellë anëtarët e KZAZ-së, kjo parti t’i përgjigjet detyrimit të KQZ-së”, theksoi Subashi. Ndërsa anëtari i KQZ-së, Klement Zguri u shpreh se: “Kjo situatë është krijuar pikërisht për shkak se PS-ja nuk ka paraqitur emrat, na ka braktisur, na ka vënë në vështirësi. Nuk është njëlloj që forca e vogël nuk ka rolin dhe detyrimin që ka një parti e madhe”. Ndërsa anëtari Artan Lazaj theksoi: “Se po të vazhdohet me këtë logjikë deri më 15 nëntor, nëse nuk do të ketë anëtar me këto dokumente, do të jenë anëtarë që ne nuk e dimë ose jo. Të paktën të paraqesin një certifikatë dhe të shohim nëse janë në ndjekje penale ose jo”, tha Lazaj. Por emrat e anëtarëve të rinj janë kaluar me shumicë votash, ku katër anëtarët e së djathtës në KQZ votuan pro, ndërsa 2 të tjetër, Subashi dhe Lazaj votuan kundër. PBDNJ-ja nuk ka paraqitur kandidat të saj në zgjedhjet e pjesshme vendore, pasi nuk është regjistruar. Ndërsa i është përgjigjur thirrjes së KQZ-së për të paraqitur emrat e anëtarëve të KZAZ-ve, por edhe të plotësojë vendet vakante të lëna nga ana e PS-së. Po dje KQZ-ja ka miratuar fletën e votimit që do të përdoret në këto votime. Në total janë 5 njësi vendore gjithsej me 65 qendra votimit gjithsej. Sipas KQZ-së zgjedhës janë gjithsej 45138 dhe fletë votimi do të prodhohet 46041 copë. Partia e Punës në këto zgjedhje të pjesshme do të kandidojë vetëm me një kandidat në komunën Otllak. Ndërsa përballja në njësinë 10 të Tiranës, bashkinë Fushë-Arrëz, komuna Fierzë-Tropojë, bashkia Klos do të ketë përballje mes kandidatëve të LSI-së dhe PD-së.