Zgjedhjet në PS, Rama shmang oponentët
Aristir Lumezi
Deputetët e mendimit ndryshe “harrohen” nga Edi Rama. Dy deputetët e Qarkut Tiranë, Kastriot Islami dhe Andis Harasani nuk janë thirrur në takimin e zhvilluar dy ditë më parë në Bashkinë e Tiranës ku kreu i PS-së Edi Rama thirri deputetët e këtij qarku. Qëllimi i këtij takimi kishte të bënte me zgjedhjet që kanë nisur të zhvillohen për kryetarët e organizatave socialiste të PS-së, si dhe analizat e zgjedhjeve të 28 qershorit në to. I pyetur dje nga gazeta “Panorama” deputeti socialist Islami tha se u njoh me këtë takim vetëm përmes mediave, ndërkohë që shprehet se edhe deputeti tjetër, Andis Harasani nuk është lajmëruar për këtë mbledhje. “Në përgjithësi jemi lajmëruar normalisht për mbledhjet e rregullta të kryesisë apo të grupit parlamentar të zhvilluar në selinë e PSSH. Është shqetësues dhe i çuditshëm fakti që sa herë që mbledhjet nuk zhvillohen në selinë e PSSH, deputetët apo anëtarët e kryesisë apo edhe të tjerë që kanë shprehur mendim ndryshe nuk janë lajmëruar. Po ashtu nuk është aspak normale që asnjë nga ata që mendojnë ndryshe nuk janë thirrur asnjëherë gjatë kësaj periudhe në takime ose konsultime apo përfshirë në grupe pune”, u shpreh Islami. I pyetur nëse këto qëndrime të kryetarit Rama ndaj mendimit ndryshe tregojnë frymën përjashtuese që ka nisur të theksohet në PS, Islami tha se një gjë e tillë po bëhet gjithnjë e më evidente. “Padyshim kjo është shenjë tjetër e frymës përjashtuese që sponsorizohet direkt nga kryetari i PSSH dhe që bëhet më evidente edhe nga fakti që kjo mbledhje është zhvilluar në zyrën e tij në Bashkinë e Tiranës. Me shumë gjasa orientimi për moslajmërimin e deputetëve që mendojnë ndryshe ka ardhur drejtpërdrejtë nga vetë Edi Rama. Gjykoj se është një veprim i rëndë dhe fatkeqësisht në linjë me të gjithë klimën e shantazhit e të gjuetisë së shtrigave që transmetojnë çdo ditë njerëz të afërt të kryetarit. Është paradoksale që i vihen kushte Berishës, kusht për të hapur kutitë, kthimi në punë i të gjithë të larguarve nga administrata, sepse janë militantë të PSSH dhe kjo i bëhet prezente të gjithë përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar dhe nga ana tjetër deputetë apo figura kryesore të PSSH përjashtohen nga aktivitetet partiake vetëm se kanë shprehur mendim ndryshe nga ai i Edi Ramës”, u shpreh Islami. Ndërsa për deputetin tjetër të mendimit ndryshe, Andis Harasani, domethënëse është mbajtja e mbledhjes me deputetët socialistë në ambientet e Bashkisë së Tiranës. “Mbledhja e djeshme ka një simbolikë. Sa kam punuar unë që Rama të rimerrte për herë të tretë mandatin e kryetarit të bashkisë, nuk ka punuar asnjë nga deputetët që ishin të pranishëm në takimin e një dite më parë”, tha Harasani. Deputeti socialist, një nga anëtarët e “Lëvizjes për Mendim ndryshe”, shprehet se këto veprime dhe qëndrime tregojnë fare qartë demokracinë e brendshme në Partinë Socialiste. “Zoti Rama jo vetëm që po privatizon partinë, por ç’është më e keqja harron kontribuuesit reale të qenies së tij në postin e kryetarit të bashkisë. Ky qëndrim është një tregues i qartë në sytë e të gjithëve të funksionimit të demokracisë së brendshme në PS”, u shpreh Harasani.