“Ministrat e PD me vila në bregdet”
Partia Socialiste ka publikuar dje emrat e disa prej ministrave të qeverisë “Berisha”, të cilët sipas saj kanë vila në bregdet dhe do të përfitojnë nga ligji i fundit që do të miratohet në Parlament “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror, në zonat me përparësi turizmin”. Sipas deputetit Taulant Balla, projektligji bëhet në favor të interesave familjare të Kryeministrit dhe të ministrave të oborrit. “Më lejoni t’ju shpjegoj se sipas këtij projektligji, përfituesit e këtij ligji hipotekojnë në pronësinë e tyre jo vetëm tokën ku kanë ngritur vilat por edhe oborret, madje edhe rërën e bregdetit. Pra Qeveria që na shiti detin, tashmë po përvetëson edhe rërën dhe bregdetin. Kam këtu deklaratat e pasurisë sipas formularëve zyrtarë të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Familja kryeministrore: vajza dhe kunata; Ministri i Brendshëm i familjes, Lulzim Basha, Ministri i Financave, Ministri i Shtetit. Mund t’ju them se lista vazhdon e gjatë edhe me ministra të tjerë të oborrit, zëvendësministra e të të tjerë zyrtarë”, tha Balla.