Statusi kandidat, Dade: Më parë të zgjidhet kriza
Maxhoranca dhe opozita e interpretojnë ndryshe deklaratën e Ministrit të Jashtëm suedez, për statusin e vendit tonë. Karl Bildt tha se vonesa në shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësi në BE nuk është për shkaqe politike, por vetëm teknike. Deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Beja, Kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvend, i pyetur nga seksioni shqip i BBC-së tha se autoritetet shqiptare po shpejtojnë në plotësimin e standardeve të nevojshme dhe i bën thirrje opozitës që t’iu bashkohet këtyre përpjekjeve. “Fakti që opozita nuk vjen në Parlament nuk është e pëlqyeshme, është diçka jo pozitive që synon të krijojë një pengesë politike”, tha Beja në një intervistë për BBC-në.
Duke analizuar qëndrimin e komunitetit evropian për çështjen e pranimit të kërkesës së Shqipërisë, për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, Beja tha se ka një mbështetje pozitive nga i gjithë faktori evropian. “Nuk ka ndonjë qëndrim negativ politik ndaj Shqipërisë por, përkundrazi, ka një mbështetje politike dhe po bëhen përpjekje që shqiptarët të përfitojnë nga lëvizja e lirë që e kanë kërkuar që prej 18 vjetësh”, tha parlamentari. Ndërsa sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Socialiste, Arta Dade, thotë se, pavarësisht këtyre vlerësimeve, qeveria e kryeministrit Berisha duhet të zgjidhë krizën paszgjedhore në vend. “Shqipëria duhet ta meritojë marrjen e statusit të vendit kandidat dhe për këtë arsye duhet të ketë një vëmendje dhe sugjerim më të madh ndaj sugjerimeve që vijnë nga Brukseli”, tha zyrtarja e lartë e PS-së. Duke risjellë në vëmendje deklaratat e përfaqësuesve të lartë të Brukselit, Dade kërkoi zgjidhjen e krizës paszgjedhore në vend. Dade përmendi rastin e komisionerit Olli Rehn, që i bëri thirrje qeverisë shqiptare të zgjidhë krizën paszgjedhore, duke konstatuar që është një element që cenon përmbushjen e standardeve politike. Shqipëria e paraqiti aplikimin për të qenë vend kandidat i BE-së në prill të këtij viti, vetëm disa ditë pasi hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit. U deshën dy vjet që kjo marrëveshje të ratifikohej nga të 27 parlamentet e vendeve anëtare të BE-së. Aplikimi i Shqipërisë u bë në një kohë që vendet anëtare ishin të ndara në opinionet e tyre lidhur me kohën e paraqitjes së tij. Në rend të ditës të marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në është çështja e heqjes së vizave Shengen. Shqipëria po përpiqet që të përfitojë sa më shpejt nga ky proces në vijim të vendimit që Komisioni Evropian ka marrë tashmë për heqjen e vizave, duke filluar nga fillimi i vitit 2010 për Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë.
Por duket se bojkoti i socialistëve ndaj parlamentit, për shkak të dyshimeve të hedhura për manipulim të rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit, ka bërë që detyrat e shtëpisë që i janë lënë Shqipërisë për të plotësuar reforma dhe standardet e kërkuara sipas dokumenteve të BE-së, nuk po nxit përparimin e procesit të shqyrtimit të kërkesës së statusit. Në mënyrë të përsëritur ndërkombëtarët, veçanërisht ata evropianë, që monitorojnë nga afër çdo proces demokratik në vend, i kanë kërkuar opozitës të zhvillojë debatin dhe betejën e saj politike brenda ambienteve të parlamentit, duke hequr dorë nga bojkoti. Por në përgjigje të këtij apeli, përfaqësues të lartë të PS-së i kanë kujtuar ndërkombëtarëve se tashmë janë të maturuar politikisht dhe dinë të zgjedhin vetë pa ndërhyrjen e tyre qëndrimet.