KQZ miraton numrin shtesë të 458 punonjësve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi numrin e 458 punonjësve, që do të përdoren me kontratë pjesshme deri pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Në këtë nismë anëtari Pandeli Varfi ka qenë i vetmi që ka votuar kundër për disa për shtimin e numrit të punonjësve në disa prej drejtorive të KQZ-së. Kostoja e punonjësve që do të merren mësohet se është 35 milionë lekë të reja. Gjithashtu, po dje u mor vendimi për blerjen e 385 kamerave dhe 385 monitorëve. Sipas KQZ-së vendi i numërimit të votave do të jetë funksional 40 ditë para zgjedhjeve të qershorit. Në lidhje me këtë projekt kryetari i KQZ-së deklaroi se ende nuk dihet kostoja reale për një projekt të tillë, por janë të gatshëm për të operuar në këtë sistem, pasi nevojitet që 10 ditë përpara zgjedhjeve gjithçka të jetë gati. KQZ-ja pritet të realizojë një provë paraprake për mënyrën e procesit të numërimit të votave, duke improvizuar 10 tavolina me grupe numërimi. Gjithashtu, KQZ-ja miratoi dhe projektin për vendosjen e 66 kamerave qendrore në lidhje me zhvendosje 360 gradë, në të cilën do të realizohet monitorimi i procesit të numërimit të votave. Mbi bazën e kësaj do të realizohet edhe dalja e rezultateve paraprake, si dhe vetë KQZ-ja do të monitorojë nga afër procesin, nëse ka ndonjë përplasje mes anëtarëve të numërimit të votave. Në mbledhjen e sotme KQZ-ja pritet të shqyrtojë mënyrën e modelimit të dhomës së fshehtë të votimit, si dhe të zarfeve të sigurisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.