E Shtunë, 31 Tetor 2026

Licenca GSM, PS akuzon Qeverinë

 

BLEDAR HOTI

Çështja e privatizimeve në vend ka shkaktuar debate të ashpra në Kuvend, duke bërë që seanca të ndërpritet për disa minuta rresht. Opozita hodhi hije dyshimi mbi privatizimin e radhës nga ana e qeverisë dhe që ka të bëjë me licencës e operatorit të katër mobil GSM. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe akuzoi qeverinë se pas këtij tenderimi përfshihen firma serbe, që operojnë aktualisht në Shqipëri. Por ministri i Transporteve, Sokol Olldashi i hodhi poshtë këto akuza, duke i cilësuar si të pavërteta. “Zoti ministër nuk e dija se edhe këtë çështje do ta mbroje me patriotizëm, sepse po ta dija do të doja të thosha se akuzën e ka ngritur shtypi kosovar. Gazeta “Koha Ditore”, e tre ditëve më parë në referencë të organizatës “Çohu”, jo serbe po prapë kosovare thotë se: Në tenderin për telefoninë mobile në Shqipëri, Post Telekomi i Kosovës ka partner njeriun, që i ka shitur “Euromax”-in në Shqipëri, njeriun që i ka shitur “Euromax”-in në Shqipëri Miroslav Mishkoviçit, ish- zv/kryeministër i Serbisë në kohën Millosheviçit”, deklaroi Braçe. Pastaj sërish Olldashi ka deklaruar se “ka një vendim të qeverisë së Kosovës që procedura të ndiqet nga Post Telekomi i Kosovës. Se çfarë bën qeveria Kosovës nuk është në dorën tonë”. “Problemi juaj është tjetër nuk doja ta thelloja qëparë, por nuk doja, problemi juaj është që juve ju errën sytë as përmendet Kosova, jo ju të gjithëve, por për atë personin që foli qepar. Ke dy vjet rresht zotëri që nuk lë gjë të zezë pa thënë, për gjënë që është më themelore, që është rruga që lidh Shqipërinë me Kosovën. Është qëndrim personal i yti, meqenëse e paske me kaq zell, Kosovën dhe pastërtinë e Kosovës, dil një herë andej dhe e tregoj unë se si del”, iu drejtua Olldashi, Braçes. Pas diskutimit të deputetit të PD-së, Xhaferri. Deputeti socialist ka tentuar të replikojë, por nuk është lejuar nga kryeparlamentarja Topalli. Qëndrimi në aulë të Braçes ka detyruar Topallin të ndërpresë seancën për disa minuta. Ndërsa gjatë këtij pushimi në sallë, Braçe dhe Malaj kanë shkëmbyer replika të ashpra me deputetin e PD-së, Xhaferri. Pas rinisjes së seancës, Braçe reagoi duke theksuar se: “Tashmë dhe në Kosovë e kanë kuptuar se Kosova përdoret për t’u vjedhur. Posta e Kosovës ka 30 % të aksioneve, 70 për qind të tjera i kanë një tufë klientësh të qeverisë shqiptare”.

PS: Një diplomat derdhi 50 milionë euro në Itali

Socialisti Braçe kërkoi në Kuvend që qeveria të reagojë në lidhje me një shkrim në media për derdhjen e 50 milionë eurove të një punonjësi të Ministrisë së Jashtme. “Prej dhjetë ditësh ka dalë nga errësira për shkak të medias, që sot sulmohet këtu dhe një kallëzimi penal publik të një shtetasi shqiptar, depozitimi në mesvitin 2007 në 6 llogari bankare të Qeverisë Shqiptare në Itali të 50 milionë eurove të paidentifikuara, nga një zyrtar me pasaportë diplomatike, që punon në Ministrinë e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe që ka mbiemrin Burimi”, deklaroi Braçe. Ai theksoi se “paratë në atë numër llogarie në vjeshtë të vitit 2008 kanë arritur në 70 milionë euro, ndërsa Qeveria ka nxjerrë nga taksat e shqiptarëve, nga fondi i Kontingjencës me vendim të saj 900 mijë euro për të paguar një detyrim, që zhbllokonte këto para të bllokuara nga autoritete gjyqësore italiane”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›