E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: Në zgjedhje me PD, modalitetet do përcaktohen

 

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha dje se kjo forcë politike do të dalë në zgjedhjet e 28 qershorit në koalicion me Partinë Demokratike. Megjithatë, sipas tij, modalitetet e kësaj marrëveshje nuk janë përcaktuar ende. “Ne jemi partia e dytë dhe duhet t’i konsiderojmë këto zgjedhje vendimtare për PR-në dhe të djathtën, për të pasur edhe një mandat të dytë qeverisjeje, në rrugën e reformave të suksesshme, forcimin e shtetit ligjor dhe vazhdimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe reformat e ndërmarra nga koalicioni qeverisës. Ne do të jemi në koalicion me Partinë Demokratike. Marrëdhëniet konkrete elektorale si dhe veprimi politik në këto zgjedhje ngelen për t’u përcaktuar së shpejti”, theksoi Mediu. Kryesia e PR-së zhvilloi dje një takim me kryetarët e asambleve rajonale dhe kryetarët e degëve të rretheve të kësaj partie. Në takim u vendos që brenda muajit mars, degët e partisë të sjellin kandidaturat për anëtarë të KZAZ-të. Në fjalën e tij, kryetari Asamblesë Kombëtare PR-së, Sabri Godo, përmendi rëndësinë e organizmit për të përballuar me sukses fushatën elektorale si dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si dhe përcaktoi afate kohore lidhur me kandidaturat për anëtarët e KZZ-ve, në respektim të afateve të Kodit Zgjedhor. Aleatët e djathtë i kanë kërkuar PD-së disa herë radhazi mbledhjen e tryezës për të përcaktuar formën e bashkëpunimit për zgjedhjet e 28 qershorit, por partia më e madhe e koalicionit ende nuk ka ndërmarrë një hap të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›