E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, G99: “Dimë të ngrihemi dhe pas betejave të pabarabarta”

Autori i Lajmit: red.
G99 ka vlerësuar procesin zgjedhor të 28 Qershorit dhe angazhimin e saj në të gjithë Shqipërinë si një mundësi për të parë se të rinjtë shqiptarë kërkojnë vërtet të jetojnë në një vend më të mirë dhe i kanë mundësitë për ta bërë këtë. “Mbas një fushate elektorale shumë pozitive dhe intensive nga Tropoja gjer në Sarandë, G99 përballet me një rezultat zgjedhor prej 20 mijë votash të numëruara, pa llogaritur problemet me numërimet dhe procesin e ankimimit. Duhet të themi se me gjithë pamjaftueshmërinë e përfaqësimit në Kuvend, ne jemi të ndërgjegjshëm se kjo ishte vetëm fushata jonë e parë, dhe se kemi ende shumë rrugë për të bërë dhe shumë për të mësuar”, - thuhet në deklaratën e G99, ku shtohet se gjëja më e rëndësishme që marrim nga e gjithë kjo përvojë është dijenia se në këtë vend ka shumë njerëz, të rinj dhe të rritur, që janë të gatshëm të sfidojnë kornizat tradicionale të mendësisë politike që dominon ende mbi shoqërinë tonë. “Me sytë tanë e pamë që rinia e këtij vendi nuk është as e pamençur, as dembele, as e paaftë, por përkohësisht e mohuar dhe e dekurajuar nga politika e kulisave dhe e pazareve pa princip, ku e drejta për të përfaqësuar popullin shitet në ankand si plaçkë e rrëmbyer. Ne biem dhe ngrihemi bashkë! Ne dimë të ngrihemi edhe pas një beteje kaq të vështirë e të pabarabartë”, - përfundon deklarata e G99.

Ky lajm është publikuar: 09/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›