E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa e PS në 2007: Votat në kutinë e gabuar, të quhen të vlefshme

Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, palët ishin në role krejt të kundërta. Partia Socialiste do t’i drejtohej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me një kërkesë për vlerësimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar si të vlefshme. Më 18 shkurt të vitit 2007, KQZ u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e PS, në lidhje me gjetjen e fletëve në kutinë e gabuar. “Qytetarët janë paraqitur në qendrat e votimit dhe pasi kanë kryer procedurën përkatëse, gjatë momentit të hedhjes së fletës në kuti janë ngatërruar. Ky problem u soll në vëmendjen tuaj zoti kryetar, nëpërmjet një kërkese urgjente të Partisë Socialiste, sipas së cilës kjo ngatërresë nuk prek, nuk mund të prekë vullnetin e zgjedhësit për të votuar për formacionin politik, apo për kandidatin që dëshiron”, - thuhet në kërkesën e PS, të dorëzuar asokohe në KQZ. Partia Socialiste dhe ajo e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë kërkuar që këto fletë duhet të trajtohen me një regjim të posaçëm juridik. Kodi nuk e lejonte miratimin e një akti të tillë në atë kohë dhe KQZ nuk e pranoi kërkesën, por sugjeroi se kjo mund të trajtohej më pas, gjatë kërkesave ankimore.

Po dje, KQZ njoftoi se procesi i vlerësimit të fletëve të hedhura në kutinë e gabuar u bazua mbi dokumentacionin zgjedhor të administruar rregullisht, i cili, në gjuhën e ligjit, formon fillim prove për çdo shqyrtim administrativ. “Kudo ku kishte gjurmë në dokumentacionin zyrtar të KZAZ-ve, për vota të hedhura aksidentalisht në kutinë e gabuar, hapej kutia dhe vlerësoheshin e numëroheshin këto vota. Ky proces nuk ishte aspak selektiv, por gjithëpërfshirës”. Njoftimi vëren se që procesi ishte gjithëpërfshirës e konfirmon fakti se janë të paktën 11 kuti (QV-të 1818, 1821, 1822, 1823, 1845, 1828/1, 1829/1, 1845/2, 1850, 1850/1), të cilat janë marrë në shqyrtim dhe janë verifikuar gjatë transmetimit ‘live’ nga salla e mbledhjeve të KQZ-së, pavarësisht se KZAZ-të respektive nuk i kishin identifikuar, por ku procesverbalet e tyre kishin shënime për vota të hedhura aksidentalisht në kutinë e gabuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›