E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS vendim për të bojkotuar Kuvendin

SHKRUAN: Fejzi Braushi 25-05-2011 10:28

Socialistët kanë hequr dorë nga protestat dhe bllokimet e rrugëve dhe i janë kthyer bojkotit të Kuvendit. Kjo të paktën përkohësisht, derisa Kolegji Zgjedhor të japë vendimin për rezultatin për zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. Ky ka qenë vendimi i grupit parlamentar socialist, i mbledhur dje në mesditë, ku është diskutuar lidhur me situatën më të fundit të krijuar në vend, që pas vendimit të KQZ-së për të vlerësuar votat e gjetura në kutitë e gabuara. Ndërkohë që gjatë kësaj kohe, grupi parlamentar socialist ka vendosur të ringrijë marrëdhëniet me Kuvendin, duke mos marrë pjesë as në punimet e komisioneve, as edhe në seancat plenare.

Grupi

Marrja e vendimit nga KQZ, për shpalljen e Lulëzim Bashës si fitues të garës për Bashkinë e Tiranës, ka qenë dhe fundi i përpjekjes së PS-së për të ndalur këtë vendimmarrje, me anë të protestave. Kështu, dje KQZ ka qenë e rrethuar me forca të shumta policie, por jo me protestues. Kjo pasi drejtuesit e selisë rozë kishin vendosur që të mos konsumonin më energji me protesta dhe për t’i rezervuar ato për një fazë të dytë, atë që do të pasojë një vendimmarrje të mundshme negative të Kolegjit Zgjedhor, për kërkesën që pritet të paraqesë PS për garën e Tiranës. Vendimi për ndalimin e protestave në këtë fazë është diskutuar dje dhe nga grupi parlamentar që mblidhet për herë të dytë pas ditës së zgjedhjeve. Megjithëse mbledhja ka zgjatur fare pak, ajo ka shërbyer për të koordinuar veprimet në vijim të selisë rozë, lidhur me sjelljen e saj ndaj procesit zgjedhor në Tiranë. Burime nga kjo mbledhje bëjnë të ditur se ka pasur deputetë që janë shprehur për të rinisur protestat masive dhe të ashpra, si e vetmja rrugë për të detyruar mazhorancën dhe kryeministrin që të heqë dorë nga ndryshimi i rezultatit për Bashkinë e Tiranës. Por ka qenë vet kreu socialist dhe njëkohësisht kandidati i opozitës për këtë bashki, Edi Rama, ai që ka kërkuar të qetësojë grupin, teksa i ka komunikuar atyre vendimin se duhet të ndërpriten protestat përkohësisht, deri në konsumimin e rrugës ligjore, pra atë të ankimimeve në KQZ dhe më pas në Kolegj Zgjedhor. Mësohet se Rama u ka thënë deputetëve se presioni ndërkombëtar është i madh dhe nga ata kërkohet vetëpërmbajtje.

Bojkoti

Por ndërkohë, që nga njëra anë kanë hequr dorë nga protestat, socialistët i janë rikthyer bojkotit të Kuvendit. Edhe për këtë çështje, grupit i është dashur të marrë një vendim formal, pasi në të vërtetë kemi të bëjmë me një vendimmarrje të strukturave drejtuese të mëparshme, pasi deputetët socialistë kanë dy ditë që nuk i frekuentojnë veprimtaritë në komisionet parlamentare. Burime pranë grupit bëjnë të ditur se deri në zgjidhjen e kësaj çështje, grupi nuk do marrë pjesë as në aktivitetet në komisione dhe as në seancë plenare. Megjithatë, në rast të një vendimi negativ të kolegjit, do të jenë strukturat e tjera drejtuese të partisë, ato që do të vendosin, në lidhje me bojkotin, ashtu siç do bëjnë edhe për protestat. Një gjë të tillë e ka paralajmëruar dje edhe vet kreu socialist, gjatë daljes së tij të parë për mediat, që pas shpalljes së rezultatit nga KQZ.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›