E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlerësim transparent i dëmeve të shkaktuara

11/01/2010  Ministri i Financave
Ministri i Financave Ridvan Bode ka deklaruar nga Shkodra se Shtabi i Emergjencës ka miratuar fondet e nevojshme dhe gjithashtu janë ngritur të gjitha strukturat për shpërndarjen e bazës ushqimore edhe në ato zona të përmbytura ku njerëzit vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Ministri theksoi se qeveria përmes ekspertëve të saj do të bëjë vlerësimin e çdo dëmi të shkaktuar nga përmbytjet. Në një prononcim për mediet kreu i Financave theksoi se Shtabi tashmë ka akomoduar dhe siguruar gjithçka u nevojitet banorëve të evakuar. E njëjta gjë është edhe për ata që kanë vendosur të mos braktisin shtëpitë. “Një izolim pak i zgjatur ngre problemin e mbështetjes me bazë ushqimore edhe për blegtorinë dhe nga dita e sotme (dje) do të fillojë shpërndarja e bazës ushqimore dhe për të. Pra, me ngritjen e një fondi operacional, çdo ditë do të plotësojmë të gjitha nevojat jo vetëm për banorët, por edhe për bagëtinë në këto zona, pasi ky izolim mund të zgjasë dhe ditë të tjera”, - ka deklaruar ministri Bode. Pas inspektimit të të gjitha zonave të përmbytura gjatë ditëve të fundit, kreu i Financave ka përsëritur deklaratën se qeveria shqiptare do të përballojë çdo nevojë që kanë këto zona për të siguruar funksionimin normal brenda këtij anormaliteti si për njerëzit, ashtu dhe për bagëtinë. Ministri Bode siguroi banorët se shpërndarja e bazës ushqimore do të jetë transparente dhe korrekte. Ai theksoi se qeveria mund të përballojë më së miri çdo nevojë që kanë zonat e përmbytura për të siguruar kalimin sa më shpejt të kësaj gjendjeje të rëndë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›