E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ riadministron provat për 11 KZAZ-të e Tiranës

Mbledhja e sotme zgjati pothuajse për 5 orë rresht dhe në fund u vendos që shqyrtimi i ankesave të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste të bëhet të martën.

Anëtarët e KQZ-së vendosën të administrojnë provat e qendrave të votimit të KZAZ-ve për të cilat adresohet ankimimi, siç janë libri i protokolleve, procesverbalet e grupeve të numërimit, etj, në mënyrë që Komisioni të hetojë rreth tyre.

Dy ankesat u shqyrtuan bashkërisht duke qenë se kanë problematikë të përbashkët. Partia Demokratike në kërkesën e saj kërkonte rivlerësimin dhe rinumërimin e votave të kontestuara në katër njësi bashkiake të kryeqytetit, si dhe përfshirjen e tyre në tabelën përfundimtare të rezultateve. Katër anëtarët e djathtë të KQZ-së e mbështetën këtë kërkesë, duke e vlerësuar si ligjore.

Por, opozita e kundërshtoi me anë të nënkryetares Dëshira Subashi, e cila i cilësoi kërkesën e demokratëve si "nonsens" dhe "një taktikë ndaj kundërshtarit politik". Ndërkohë, Partia Socialiste me anë të ankimimit kundërshton rezultatet e KZAZ-nr. 49, njësia bashkiake 5, si dhe vendimin e KQZ-së për tabelën përfundimtare të Bashkisë Tiranë. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-05-30 17:36
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›