KQZ, rregullat për regjistrimin e vëzhguesve të 28 qershorit
Vëzhguesit e pavarur shqiptarë duhet të regjistrohen në KQZ 15 ditë para zhvillimit të zgjedhjeve, ndërsa ata të huaj 72 orë para nisjes së procesit zgjedhor. Parashikimi është bërë në draftin e radhës nga drejtoria përkatëse e këtij institucioni dhe pritet që udhëzimi të merret në shqyrtim nga anëtarët e KQZ-së. Në relacionin e këtij projekt-udhëzimi thuhet se procedurat që do të ndiqen për vëzhguesit e huaj dhe shqiptarë që i përkasin OJF-ve apo organizatave ndërkombëtare janë të ngjashme me procedurat që janë ndjekur edhe në 2005, pasi kanë rezultuar të suksesshme. Për t‘u regjistruar në KQZ si vëzhgues përveç dokumenteve personale duhet të ketë edhe një autorizim të OJF apo organizatës që kërkon të vëzhgojë procesin zgjedhor. Subjektet shqiptare që kërkojnë të vëzhgojnë zgjedhjet duhet të paraqesin kërkesat dhe dokumentacionin përkatës, jo më vonë se 15 ditë para datës së zgjedhjeve, ndërsa subjektet e huaja duhet të paraqesin kërkesën për akreditim jo më vonë se 72 orë para datës së zgjedhjeve. Më tej, janë parashikuar edhe disa rregulla për numrin e vëzhguesve të kësaj kategorie në një qendër votimi etj. Lidhur me të drejtat që kanë vëzhguesit e huaj dhe shqiptarë projekt-udhëzimi parashikon se ata kanë të drejtë që t‘i drejtojnë pyetje Komisionit Zgjedhor, por pa e penguar në veprimtarinë e tij si dhe të hyjë dhe të dalë pa pengesa në ambientet zgjedhore. Sa i përket detyrimeve, drafti parashikon që vëzhguesit nuk duhet të ndërhyjnë në procedurat e ditës së votimit apo gjatë procesit të numërimit të votave, të nxjerrjes së rezultatit, të respektojë etikën në ambientet zgjedhore, si dhe të mos komentojë vendimet e KQV-ve, KZAZ-ve, GNV-ve. Sakaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje udhëzimin për çregjistrimin e zgjedhësve të reparteve ushtarake, Forcave të Armatosura etj. Në bazë të këtij udhëzimi, njësitë vendore kanë pesë ditë kohë që të verifikojnë dhe mandej çregjistrojnë listën e personave që u dërgon Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Më parë, Komisioni Qendror miratoi projekt-udhëzimin për regjistrimin, të drejtat dhe detyrat e vëzhguesve të partive politike. Gjatë diskutimit të tij, anëtarët vunë re një gabim në Kodin Zgjedhor, i cili u rregullua në Fletoren Zyrtare.