Topalli: Lëvizja pa viza, do të mbajmë premtimin
Në vijim të turit "Shqipëria po ndryshon", Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ishte dje në Rubik. Në fjalën e saj, Topalli u shpreh se, si në çdo komunë e qytet në Shqipëri, edhe këtu investimet janë tetëfishuar. Një Shqipëri, vijoi ajo, që po integrohet, një Shqipëri që pas një viti do të bëjë të mundur që ju baballarët, nënat, prindërit që keni fëmijët në Itali, në Greqi, në Gjermani të lëvizni pa viza dhe ju do të lëvizni pa viza, për të parë fëmijët tuaj. Duke vënë theksin te lëvizja pa viza, Topalli theksoi se "ky është premtimi ynë, ju do të lëvizni pa viza për të parë nipërit tuaj, ndërkohë që kanë mbetur rreth dy muaj për të shkuar drejt zgjedhjeve të ardhshme dhe ne kemi përgatitur projektin tjetër të madh të mandatit të ardhshëm".