Vasili: Kolegji të zbatojë ligjin, të ndalen presionet
Në prag të nisjes së shqyrtimit të ankimimeve nga ana e Kolegjit Zgjedhor, Lëvizja Socialiste për Integrim i ka bërë thirrje këtij institucioni të udhëhiqet nga ligji dhe jo të bjerë pre e presioneve. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili, tha se LSI pavarësisht pretendimeve që ka pasur, ka respektuar institucionet e administrimit të votës. “Ne i bëjmë thirrje Kolegjit Zgjedhor, që në veprimtarinë e tij të udhëhiqet vetëm nga ligji dhe Kodi Zgjedhor dhe të mos influencohet nga asnjë lloj presioni apo kombinacioni politik ngado që ai të vijë. Pavarësisht nga rezervat që LSI ka për zgjedhjet dhe standardet e tyre, ne kemi respektuar institucionet që ngarkon ligji si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor”, tha Vasili gjatë komunikimit për mediat. Zyrtari i lartë i LSI-së kujtoi faktin, që institucionet e administrimit të procesit zgjedhor janë votuar me konsensusin e dy forcave të mëdha dhe si të tilla vendimet e tyre duhen respektuar. “Këto institucione janë ndërtuar nëpërmjet konsensusit të gjerë të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike dhe si të tilla duhen respektuar me qetësi, si funksionimi ashtu edhe vendimet e tyre duke u distancuar nga presionet e njëanshme dhe anakronike për qëllime të përfitimit të ngushtë partiak”, theksoi më tej Vasili.