KQZ shpall listat e kandidatëve në datën 13 qershor

Brenda 18 majit, partitë duhet të depozitojnë listën finale të deputetëve
Partitë parlamentare duhet të kenë me vete edhe vërtetimin e Kuvendit të Shqipërisë, në të cilën jepej edhe numri i mandateve që disponojnë. Ndërsa partitë politike, pjesëtare të një koalicioni miks me parti parlamentare dhe joparlamentare përjashtohen nga paraqitja e firmave të zgjedhësve vetëm nëse numri i deputetëve aktual nuk është më i vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit.
TIRANE - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpallë publikisht listat e kandidatëve për deputetë 15 ditë përpara votimeve të 28 qershorit. Lista me kandidatët për deputetë për çdo zonë zgjedhore, në 12 qarqe do të publikohen nga KQZ-ja më 13 qershor, si në faqen e saj të internetit, ashtu edhe në mediat e shkruara dhe vizive. KQZ, një kopje të listës për çdo zonë zgjedhore ia dërgon prefektit, Këshillit të Qarkut dhe KZAZ-ve, të cilat e publikojnë atë në mediat vendore dhe e shpallin në vende publike në zonën e tyre. Në udhëzim për, “Caktimin e rregullave për verifikimin e dokumentacionit të kandidimit dhe afatet për publikimin e listave të kandidatëve”, KQZ-ja ka përcaktuar mënyrën për verifikimin e kandidatëve për deputetë, nëse ato plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligjin zgjedhor.
Të gjitha partitë politike dhe kandidatët e pavarur duhet të paraqesin listat e kandidatëve jo më 40 ditë nga data votimit. Brenda datës 18 maj të gjitha subjektet politike të regjistruara në zgjedhjet parlamentare duhet të depozitojnë listat e firmosura nga ana e kryetarit të partisë. Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish. Bëjnë përjashtim nga ky rregull kryetarët e partive politike, që konkurrojnë veçmas apo si pjesëtarë të një koalicioni. Ndërsa është përcaktuar se “në çdo rast të paktën 30 % e kandidatëve të listave shumemërore se dhe/ose një në tre emrat e parë të listës duhet t’i përkasë secilës gjini”.
Të gjitha deklaratat e kandidatëve për deputet duhet të depozitohen në KQZ.
Partitë parlamentare duhet të kenë me vete edhe vërtetimin e Kuvendit të Shqipërisë, në të cilën jepej edhe numri i mandateve që disponojnë. Ndërsa partitë politike, pjesëtare të një koalicioni miks me parti parlamentare dhe joparlamentare përjashtohen nga paraqitja e firmave të zgjedhësve vetëm nëse numri i deputetëve aktual nuk është më i vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit. Në të kundërt duhet të paraqesin 15 mijë firma zgjedhësish. Partitë jo parlamentare duhet të paraqesin 10 mijë firma zgjedhësish me deklarata personale, të noterizuara.
Ndërsa kandidati i pavarur duhet të depozitojë në KQZ, firmat e mbështetësve që janë 1 për qind e zonës zgjedhore. Për këtë kandidati i pavarur duhet të krijojë 60 ditë përpara zgjedhjeve një komitet përfaqësues të kësaj zone zgjedhore, i cili duhet të krijojë kontakte me KQZ-në deri në momentin e regjistrimit. KQZ-ja pas mbylljes së kësaj procedure duhet të verifikojë listat e zgjedhësve, që mbështesin kandidatët e partive politike jo parlamentare, si dhe të pavarurve, nëse ata janë të zonës zgjedhore ku konkurrojnë ose jo, si dhe në rezultojnë se kanë firmosur më shumë se një herë.
Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit duhet kontrollojë këtë proces mbi bazën e listave elektronike. Nëse grupi i punës vëren parregullsi në paraqitjen e dokumentacionit, jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e tij, i paraqet një relacion KQZ-së, në të cilin parashtrohen parregullsitë e konstatuara.
KQZ-ja shprehet me vendim për kthimin dhe korrigjim e parregullsive të konstatuara në dokumentacionin e paraqitur.
Vendimi për kthimin, për korrigjim të dokumentacionit merret jo më vonë se 35 ditë nga data e zgjedhjeve.