E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statuja e Aleksandrit në Shkup dhe marrëdhëniet me Greqinë

25-06-2011 / VOA

Para pak ditësh, autoritetet maqedonase përfunduar ngritjen në Shkup të një statuje të debatueshme të Aleksandrit të Madh, një statujë 11 metra e lartë prej bronzi, e cila i ka tensionuar më tej marrëdhëniet me Greqinë fqinje. Diplomatët perëndimorë janë të shqetësuar se statuja do të ndërlikojë më tej negociatat midis dy vendeve të cilat deri tani nuk kanë çuar dot në një kompromis për çështjen e emrit. Vinçat e rëndë e ngritën statujën 40 tonëshe mbi piedestalin 10 metra të lartë në qendër të Shkupit, ndërkohë që qindra njerëz brohorisnin dhe bënin fotografi. Statuja është quajtur zyrtarisht “Luftëtari mbi kalë”, por ajo i ngjan mjaft përshkrimeve të Aleksandrit, mbretit të Maqedonisë, që ngriti njërën nga perandoritë më të mëdha të botës së lashtë, e cila arriti deri në Himalaje përpara vdekjes së tij në moshën 32-vjeçare në vitin 323 p.e.s. Maqedonia dhe Greqia janë mbërthyer në një mosmarrëveshje 20-vjeçare mbi trashëgiminë e lashtë. Të dyja vendet kanë pretendime ndaj Aleksandrit, mbreti luftëtar të lindur në Pella, që tani është në Greqinë veriore. Kjo statujë e madhe është pjesa kryesore e një projekt ambicioz dhe të debatueshëm të qeverisë maqedonase të quajtur Shkup 2014, i cili synon t’i japë një pamje të re qytetit.
Kostoja përfundimtare e projektit është e paqartë. Qeveria fillimisht shpalli një kosto prej 80 milionë eurosh, ndërsa opozita thotë se projekti ka gëlltitur tashmë rreth 200 milionë euro. Qeveria thotë se projekti do të krijojë një qytet të denjë për lavdinë e dikurshme të Maqedonisë. Por, sipas kundërshtarëve, ky është një shpenzim i kotë në një nga vendet më të varfra të Evropës. Një nga kundërshtarët më të fortë të projektit "Shkupi 2014" është Branko Geroski, kryeredaktor i gazetës “Spic”. "Ka shumë mundësi që kjo të jetë bërë pjesërisht për inat të grekëve, me të cilët ne jemi në sherr. Nga ana tjetër në këtë periudhë ka edhe krizë identiteti të Maqedonisë. Ky nuk është vetëm dështim politik, është edhe një dështim estetik", thotë Geroski.
Por kryeministri Nikolla Gruevski, thotë se projekti do të pasqyrojë lavdinë e lashtë të Maqedonisë, një mendim që ndahet nga shumë maqedonas. "Aleksandri është simbol i ekzistencës sonë, dhe ne të gjithë e respektojmë këtë vepër madhështore, thotë Dimçe, banor i Shkupit. Por për Aco Smailin, nga Shkupi, projekti është një shpenzim i panevojshëm. "Në këtë moment, ai nuk duhet të ishte bërë, njerëzit nuk kanë punë, nuk kanë para, le të ndërtojnë më mirë fabrika për të krijuar vende të reja pune," thotë Smajli. Vangel Bozhinoski, President i Shoqatës së Arkitektëve të Shkupit thotë projekti nuk është një provokim për shtetin grek. "Qëndrimi grek do të jetë i njëjtë dhe unë mendoj se ky nuk është një provokim për ta, sepse ai ndryshon asgjë. Kundërshtimi i tyre nuk vjen nga emri. Sepse emri është konfirmuar gjatë gjithë historisë. Maqedonia është ndoshta një vend unik në Evropë që nuk ka emër tjetër," thotë zoti Bozhinoski. Diplomatët perëndimorë janë të shqetësuar se statuja do të ndërlikojë më tej negociatat midis dy vendeve të cilat deri tani nuk kanë çuar dot në një kompromis për çështjen e emrit.
Shumë grekë e shohin projektin si një provokim. "Nuk e kuptoj pse duhet të ketë një statujë të Aleksandrit të Madh në Shkup. Aleksandri nuk ka të bëjë fare me Shkupin. Ai ishte grek. Çfarëdo përpiqen të bëjnë ata nuk do të ketë sukses," thotë Katarine Galanaki nga Athina. Disa besojnë se qeveria greke duhet të reagojë më fuqishëm ndaj projektit. "Trajtimi ynë politik i Shkupit është tepër i butë dhe ishte logjike që kjo do të ndodhte? Ata kanë tashmë një aeroport të quajtur Aleksandri i Madh". Politikat e Greqisë duhet të ishin më të ashpra," thptë Kristos Georgapoulos. Athina kundërshton emrin Maqedoni, pasi sipas saj, kjo nënkupton ambicie territoriale ndaj provincës së saj veriore, vendlindja e Aleksandrit të Madh. Greqia ka penguar tashmë hyrjen e Maqedonisë në NATO dhe ka bllokuar anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

Me lirimin e ekstremistit holandez Wilders, a po shkohet nga fundi i shoqërisë multikulturore?

Një gjykatë në Amsterdam e shpalli politikanin Gerd Wilders të pafajshëm nga akuza e nxitjes së urrejtjes kundër myslimanëve. A shënon ky hap një largim nga ideja e një shoqërie multikulturore? Një "fitore për lirinë e mendimit" e quajti populisti i djathtë hollandez Geert Wilders lirimin e tij në instancë të fundit para një gjykate në Amsterdam të enjten. Wildersin e hodhën në gjyq, sepse ndër të tjera e quajti fenë islame një fe të dhunshme. Përfaqësues të grupeve që ngritën aktpadinë për këtë shkak u treguan të zhgënjyer me vendimin e gjykatës. Vendimi e bën të qartë se gjykatat nuk i mbrojnë minoritetet fetare, thanë ata. Ata planifikojnë që ta paraqesin rastin para Gjykatës së OKB-së për të drejtat e njeriut në Gjenevë, pasi në Holandë janë konsumuar tani të gjitha mjetet juridike. Kryegjykatësi Marcel van Oosten tha se Wildersi kishte qenë me deklaratat e tij në "kufijtë e së lejuarës", por në asnjë moment ai nuk ka bërë thirrje për dhunë kundër myslimanëve. Veç kësaj, Wildersi pati deklaruar se ai nuk ka asgjë kundër myslimanëve që integrohen dhe përvetësojnë vlerat e Holandës. Deklarata e Wildersit se feja islame është një fe e dhunshme dhe kërkesa e tij për një ndalim emigrimi për myslimanët duhen parë në kuadër të një debati më të madh për politikën e integrimit, u shpreh më tej gjykatësi. Me të vërtetë, tema migracion diskutohet prej disa kohësh në Holandë, në një vend që për shumë kohë konsiderohej si model i integrimit. Në dhjetë vitet e shkuara refuzimi i asaj që quhet shoqëri multikulturore ka qenë i prekshëm, thotë politologu dhe eksperti i Holandës, Andreas Wagner nga universiteti i Gëtingenit. Për një kohë të gjatë u besua se me tolerancë dhe liri mendimi mund të arrihej shumë. Por tani, shumë njerëz kanë fituar përshtypjen se "toleranca ia ka lënë vendin injorancës dhe se ishte nevoja për një dorë më të fortë ose për një ndërhyrje më të fortë", shprehet shkencëtari i shkencave politike.
Përshtatu ose zhduku?/Me këtë vendim, Gert Wilders, i cili konsiderohet si garant i shumicës për qeverinë e minoritetit të Hollandës, të përbërë nga liberalët e djathtë dhe konservatorët, merr mbështetje për politikën e tij restriktive ndaj të huajve. Javën e kaluar, ministri konservator i brendshëm, Piet Hein Donner prezantoi një direktivë të re për politikën e integrimit. Në bazë të saj, migrantët nga qarqe kulturore dhe fetare të huaja duhet të përpiqen për integrim pa ndihmën e shtetit. Në bazë të saj, kurset për marrjen e nënshtetësisë janë të detyruara, por ato duhet të paguhen nga xhepi i migrantëve. Ai që nuk e kalon provimin e integrimit, humbet lejen e qëndrimit. Për udhëheqësin socialdemokrat të opozitës, Job Cohen, ky ndryshim kursi në politikën e integrimit është një "gabim historik". Që migrantët të trajtohen sipas parimit "përshtatu ose zhduku", kjo është një politikë që do të kërkojë haraçin e saj.
Dojçe Vele

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›