Komenti/Kundër Asadit, të mbështesim Ankaranë
Prej katër muajsh në radhë, një tiran po bën kërdinë ndaj popullit të tij, veç një orë larg nga BE-ja nëse merr avionin për të shkuar atje. Qindra civilë janë arrestuar, torturuar, dhunuar, vrarë e masakruar nga bombardimet e trupave ushtarake të presidentit sirian Bashar al Assad. Gjithcka po ndodh në praninë dhe shpërfilljen e pjesës tjetër të botës. Evropa ka vënë disa sanksione ? shtrëngesa për zhvendosjen e armëve nga udhëheqësit sirianë për qëllime tregtie, ndërprerje të ndihmave ekonomike për zhvillim - masa këto që deri më tani nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Aty-këtu edhe disa udhëheqës evropianë, si kryeministri britanik David Cameron për shembull, kanë kërkuar me ngulm që regjimi sirian të ndërpresë dhunën e ushtruar ndaj popullsisë civile, por që nuk i kanë mbështetur qëndrimet e tyre me kërcënime të njëmendta. Për sa i përket intelektualëve, thirrja e tyre drejtuar BE-së “me qëllim që t’u japë fund masakrave në Siri”, deri në këto çaste nuk ia ka dalë mbanë të krijojë shtysën e duhur për mobilizim të gjerë ndaj Sirisë. Aq më tepër që premisat për një ndërhyrje ushtarake në Siri mund t’i gjesh kollaj, shumë më tepër se ç?gjendeshin për të ndërhyrë ushtarakisht në Libi. Tre muaj më parë, kërcënimi i përdorimit të dhunës dhe terrorit kundër popullatës civile në qytetet rebele të Bengazit ishte i mjaftueshëm për të bindur OKB-në për t’i ndezur dritën jeshile ndërhyrjes në Libi. Në Siri, nuk bëhet fjalë vetëm për mbrojtjen e popullatës civile nga kërcënimet e mundshme të forcave shtetërore siriane. Kërcënimi është bërë realitet prej kohësh. Epo atëherë? Përse vallë Bashkimi Evropian nuk vepron më vendosmërisht? Apo situata e përvijuar nuk është aq e plotë sa të nxisë “indinjatë” e solidaritet? Ndoshta! Jo rastësisht vendi që fuqimisht dhe vendosmërisht po kërkon t’i vërë frerët dhunës dhe ta fusë Sirinë në binarët e reformave demokratike, është Turqia. Pikërisht në kufirin turk janë grumbulluar mijëra refugjatë sirianë, që ia kanë mbathur nga hapësirat e luftimit dhe që rrëfejnë ngjarje sa të rralla aq edhe të pazakonta të tmerreve të përjetuara, duke dëshmuar se regjimi i Damaskut ka ndalur hyrjen në vend të gazetarëve dhe vëzhguesve të pavarur ndërkombëtarë. Gjithsesi, është e vetëkuptueshme se evropianët nuk i zotërojnë të gjitha mjetet e mjaftueshme për të ushtruar trysni ndaj regjimit të Assad-it, për t’i dhënë fund dhunës ndaj popullatës civile siriane (se për t’i kërkuar që të lërë pushtetin, as që bëhet llaf). Nuk është arritur ende në njëmendësi diplomatike (Pekini dhe Moska kundërshtojnë çdo lloj forme të ndërhyrjes) dhe nuk është ende e mundur të hartohet një rezolutë përkatëse në Këshillin e Sigurisë së OKB-së. Me një fjalë, një ripërsëritje e skenarit “libian” nuk i shkon kujt ndërmend. Rruga e sanksioneve ekonomike? BE-ja është partneri kryesor tregtar dhe shpërndarësi po kryesor i burimeve financiare siriane dhe sanksionet nuk pinë më ujë. Mbetet vetëm ajo diplomatike. E nëse Evropa nuk është në lartësinë e duhur për këtë sipërmarrje, atëherë bëhet e qartë se duhet të mbështesë me më tepër bindje nismat e ndërmarra nga Ankaraja zyrtare. Aleanca me Turqinë është një aleancë e pashmangshme, në një rajon ku Evropa nuk ka arritur ende të zërë vendin e saj. Marrë nga “presseurope.com”
...