E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ shpall të lira 66 vende në komisione

SHKRUAN: Fejzi Braushi 22-02-2011 10:07

Megjithëse Kodi Zgjedhor nuk ia njeh të drejtën për të ndërhyrë në këtë moment, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje vendimin për të zëvendësuar me njerëz jopartiakë 66 vende si anëtarë dhe sekretarë në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Me 4 vota pro dhe pa praninë e anëtarëve përfaqësues të opozitës, KQZ ka vendosur dje të shpallë vakante 33 vende në pozicionin e anëtarit dhe 33 vende në pozicionin e sekretarit të KZAZ-së, vende të cilat me ligj i takojnë dy partive të opozitës, PS-së dhe PBDNJ-së. Tashmë me këtë ndërhyrje të diskutueshme nga ana ligjore, KQZ bën të mundur të krijojë shumicën e nevojshme për zhvillimin e veprimtarisë normale të administrimit të zgjedhjeve në të gjitha komisionet e niveleve të dyta.

Mbledhja

Ashtu siç edhe kishte lajmëruar disa ditë më parë, KQZ ka zhvilluar dje mbledhjen e saj ku dhe ka shpallur si vende boshe një pjesë të pozicioneve të anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ-ve. Por ndryshe nga sa ishte parashikuar në projektvendimin e parë, gjatë mbledhjes së djeshme KQZ nuk ka shpallur vakante të gjitha vendet e mbetura boshe, por vetëm një pjesë të vogël të tyre, sa për të krijuar kuorumin e nevojshëm në këto komisione për t’u mbledhur dhe për të zhvilluar aktivitetin ligjor. Që në nisje të mbledhjes sekretarja e përgjithshme e KQZ-së, Aliona Mansaku, ka sqaruar se projektvendimi i paraqitur për vendim nuk kishte referim të saktë ligjor, pasi Kodi e parashikon një masë të tillë vetëm në ditën e zgjedhjeve. Por për shkak të interesit për të zhbllokuar procesin zgjedhor, ajo ka theksuar është bërë e nevojshme kjo ndërhyrje. “Situata nuk është e paparashikuar në Kodin Zgjedhor, por për analogji përdorim nenin 29 pika 8. Në bazë të përcaktimeve në të shpallim si vakant vendin e sekretarit në KZAZ-të me numër tek dhe atë të anëtarit të katërt në KZAZ me numër çift’, - tha Mansaku. Ndërkohë që këtë e ka mbështetur edhe kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i cili në fjalën e vet ka theksuar se nuk mund të vihej në pikëpyetje gjithë procesi zgjedhor vetëm sepse një apo dy forca politike nuk pranojnë të përmbushin detyrimin e tyre ligjor. “Në këto kushte nuk mund të vëmë më në rrezik procesin. Na duhet patjetër të përgatitemi për t’u ofruar zgjedhësve shqiptarë zgjedhjet”, - ka deklaruar kryetari i KQZ-së, Arben Ristani. Ndërkohë më parë kreu i KQZ-së kishte deklaruar se për plotësimin e këtyre vendeve vakante do të preferohen të rekrutohen mësues, studentë dhe avokatë, por që plotësojnë kriteret që përcakton ligji për të qenë anëtarë KZAZ-je.

Kodi

Neni 29 i Kodit Zgjedhor i jep të drejtë të ndërhyjë KQZ-së për të emëruar anëtarë të KZAZ-ve vetëm ditën e zgjedhjeve, dhe jo në një fazë të mëparshme. “Kur vendi i një anëtari ose sekretarit të KZAZ-së mbetet vakant në ditën e zgjedhjeve, propozimi në KQZ duhet të dorëzohet jo më vonë 3 orë nga çasti i krijimit të vakancës. Në rast se subjektet me të drejtë propozimi nuk propozojnë kandidaturë në KQZ, kjo e drejtë i kalon partive politike të të njëjtit grupim që vijnë pas tyre në Kuvend për nga numri i vendeve të fituara në Kuvend në zgjedhjet pararendëse. Nëse edhe këto parti nuk propozojnë anëtarë, KQZ-ja emëron kryesisht anëtarët e KZAZ-së deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje”, - thuhet në Kod duke përcaktuar kështu të drejtën e KQZ-së për të ndërhyrë. Por, sipas vet kreut të KQZ-së, interesi i qytetarëve për të votuar prevalon mbi interesat e partive dhe se Kodi Zgjedhor parashikon zgjidhje të tilla për situatë jo absurde siç e konsideroi ai këtë të tanishmen. Ndërkohë që përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Niazi Kosovrasti, duke iu referuar pikërisht këtij neni ka theksuar se e gjithë fryma e ligjit është për të shpëtuar procesin dhe ndaj kjo ndërhyrje është mëse e nevojshme. “Ligji ka marrë parasysh që, nëse dikush do të dëmtojë procesin, atëherë ligjvënësi i jep të drejtën KQZ-së të ushtrojë një detyrë kur nuk e kanë ushtruar partitë. Në këto kushte vakanca e krijuar është shumë më e rëndësishme se ajo që thuhet se duhet që ju të ndërhyni vetëm ditën e zgjedhjeve”, - tha Kosovrasti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›