OSBE: Komisionerët? Mirëpresim vendimin e KQZ-së
Tiranë – Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth, mirëpriti dje vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpalljen e vendeve vakante në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), në përpjekje për të çuar përpara përgatitjet për zgjedhjet vendore të 8 Majit. “Shpallja publike e vendeve vakante në KZAZ, që duhen plotësuar së shpejti, është një hap i rëndësishëm dhe vendimtar në garantimin e transparencës së plotë të procesit zgjedhor ndaj qytetarëve”, tha ambasadori Wollfarth. Sipas Kodit Zgjedhor, partitë politike duhet të kishin paraqitur propozimet për komisionerë brenda 24 janarit dhe KZAZ-të duhet të ishin ngritur brenda datës 7 shkurt 2011. Ambasadori Wollfarth përsëriti gatishmërinë e Prezencës së OSBE-së për të mbështetur institucionet shqiptare në zgjedhjet e ardhshme. “Unë e mirëpres këtë hap dhe dua të vë në dukje se ai u bë i nevojshëm vetëm pasi disa parti refuzuan të marrin pjesë në procedurat demokratike, në bazë të rregullave që i kishin bashkëhartuar dhe miratuar vetë”. Në vijimësi, kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë kishte bërë apel për të respektuar afatet ligjore sa i takon depozitimit të emrave të komisionerëve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nga ana e saj përfaqësia e OSBE-së ka shprehur gatishmërinë për të asistuar partitë politike dhe Kuvendin e Shqipërisë në hartimin e ndërhyrjeve të duhura në Kodin Zgjedhor. Diçka që në fakt, teksa ndodhemi vetëm pak kohë para zgjedhjeve, duket e vështirë.